Studimi i historisë gjeologjike të Tokës nxjerr në pah praninë e një kontinenti antik në Mesdhe. Grupi i kërkimit të universitetit të Utrecht e ka quajtur Adria e Madhe. Gjurmët e tij gjenden në përreth Detit Adriatik dhe skemat kompjuterike gjatë analizimit gjeologjik të Tokës në 240 milionë vitet e fundit, tregojnë ekzistencën e tij.
Modelimi tregon se fillimisht ky kontinent i lashtë është ndarë nga Spanja, Afrika Veriore dhe Franca e Jugut. Më pas Adria e Madhe pësoi ndryshime si pasojë e lëvizjeve të dhunshme tektonike, duke u fundosur. Pjesa e sipërme e kontinentit krijoi Alpet, Ballkanin, Italinë, Greqinë e Turqinë. Ende sot gjurmë të këtij kontinenti gjenden mbi takën e çizmes italiane, por edhe në Kroaci.
Përcaktimi i evolucionit gjeologjik të Mesdheut dhe historia tektonike e tij është mjaft e rëndësishme edhe për hartëzimin e depozitimit të metaleve të çmuara të epokës moderne.
Studimi i fundit në vërtetimin e këtij kontinenti të humbur ka zgjatur më shumë se 10 vjet dhe është publikuar në revistën shkencore Gondwana Research.
240 milionë vjet më parë Adria e Madhe ishte pjesë e superkontinentit Pangea dhe shpërbërja nisi 100 milionë vjet më parë. Megjithatë edhe pse kontinentet zhduken, fundosen, gjurmët e tyre mbeten, veçanërisht tek lindja e maleve, theksojnë autorët e studimit.