Për herë të parë në gjashtë vite, dy anije luftarake amerikane kanë mbërritur në Detin e Kinës Jugore, një formë e rritjes së presionit të Uashingtonit ndaj Pekinit që pretendon pjesën më të madhe të rajonit të kontestuar.
Dy anijet aeroplanmbajtëse, USS Nimitz dhe USS Ronald Reagan, kryen disa stërvitje ushtarake për të maksimizuar kapacitetet e tyre, njoftoi Marina Amerikane.
Në të njëjtin territor, Marina e Ushtrisë Çlirimtare Popullore Kineze përmbylli një stërvitje pesëditore në Ishujt Paracel, që Kina i njeh me emrin Xisha, dhe që pretendohen gjithashtu nga Vietnami dhe Tajvani. Por Pekini thotë se i gjithë territori me sipërfaqe 3,3 milionë kilometra katrorë i përket dhe ka ngritur përgjatë viteve disa ishuj artificialë për të vendosur forca të armatosura.
Secila nga anijet amerikane mban mbi 60 avionë luftarakë dhe shoqërohet nga anije më të vogla predhëmbajtëse, një shenjë që Uashingtoni nuk ka ndërmend të dorëzojë aq lehtë territorin nën ndikimin e Pekinit.
Nga ana tjetër, autoritetet atje e kanë quajtur praninë e forcave amerikane si destabilizuese. Madje në median “Global Times”, Kina i quajti dy aeroplan mbajtëset amerikane “asgjë më shumë se tigra prej letre në dyert tona. Deti i Kinës Jugore është nën kontroll të ushtrisë tonë dhe lëvizjet e anijeve amerikane monitorohen nga afër, nga anijet tona që kanë predha në gjendje të shkatërrojnë anijet amerikane”.
Marina amerikane u përgjigj me një postim në Twitter ku thotë: “Anijet amerikane po veprojnë në ujërat ndërkombëtare të detit të Kinës Jugore. USS Nimitz dhe USS Ronald Reagan nuk frikësohen”.
Lufta, për momentin, po zhvillohet vetëm në Twitter…