Aeroplanmbajtësja amerikane “USS Abraham Lincoln” (CVN 72) ndodhet fare pak milje nga brigjet tona në Adriatik. Ajo nuk mund të shihet me sy të lirë.
Drejtues të Ministrisë së Mbrojtjes dhe SHPFA ndoqën stërvitjen e zhvilluar në anijen në fjalë në det të hapur. “Stërvitja me aleatët në Adriatik, vjen në kuadër të mbështetjes së grupit të nëntë Goditës të Forcave Detare të SHBA”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Mbrojtjes.
USS Abraham Lincoln (CVN-72) është një nga 10 aeroplanmbajtëset e SHBA aktualisht në shërbim të Forcave Detare të SHBA. Ajo është e klasit Nimitz me një tonazh rreth 100.000 ton.
Ky klas aeroplanmbajtëse sot është anija ushtarake me e madhe dhe më e fuqishme në bote, si dhe tregues i fuqisë ushtarake të SHBA.
USS Abraham Lincoln (CVN-72) është vendkomanda e Grupit të Nëntë Goditës të Forcave Detare të SHBA.
Së bashku me kryqëzorët me raketa të drejtuara dhe nëndetëset, si pjesë përbërëse e grupit, kjo fuqi detare e pakontestueshme i jep mundësinë SHBA të krijojë superioritet detar të mjaftueshëm për të projektuar fuqinë ushtarake të SHBA dhe për të menaxhuar krizat të mbarë globin.
Grupi i Nëntë Goditës të Forcave Detare të SHBA, së bashku me Aeroplanmbajtësen USS Abraham Lincoln (CVN-72) gjendet prej disa ditësh në Adriatikun Jugor, pranë brigjeve shqiptare, për të zhvilluar një stërvitje të planifikuar përpara ri-dislokimit të saj në një rajon tjetër operacional.