Koncesionari i aeroportit të Rinasit ka fituar 84 milionë euro më shumë nga sa ishte parashikuar në skenarin fillestar të marrëveshjes koncesionare.
Top Channel ka mësuar se kompania BDO ka prezantuar raportin e auditimit ekonomik të kontratës koncesionare të Rinasit. Burime konfidenciale thanë se raporti është prezantuar në Ministrinë e Infrastrukturës, ku kanë qenë të pranishëm drejtuesit e kompanisë koncesionare, ministri në ikje i Infrastrukturës, Damian Gjiknuri, ai i Financave, Arben Ahmetaj si dhe dy zëvendësuesit e tyre, Belinda Balluku dhe Anila Denaj.
Sipas raportit, për periudhën 2004-2017 skenari fillestar i koncesionit parashikonte që kompania Tirana International Airport të realizonte një fitim neto prej 66 milionë eurosh. Por në të vërtetë gjatë kësaj periudhe kjo kompani ka realizuar nga koncesioni i aeroportit një fitim neto prej 150 milionë eurosh, pra 84 milionë euro më shumë.
Raporti i auditimit ka gjetur se të gjithë treguesit financiarë të kompanisë janë dukshëm më të larta se ato që parashikonte skenari fillestar i koncesionit. Kështu, gjatë kësaj periudhe aksionerët e koncesionit kishin parashikuar të merrnin 23 milionë euro dividentë, por në të vërtetë kanë marrë 90 milionë euro ose gati 4.5 herë më shumë.
Disbalanca e madhe ekonomike e koncesionit, tashmë e konfirmuar zyrtarisht edhe nga eksperti i pavarur që auditoi kontratën, i jep të drejtë qeverisë shqiptare që të kërkojë negociata me kompaninë për të vendosur ekuilibrin. Kjo do të thotë se qeverisë i lind e drejta të kërkojë kompesim financiar nga koncesionari, i cili mund të vijë në disa rrugë, ose përmes pagesave që kompania duhet të derdhë në buxhetin e shtetit ose përmes uljes së tarifave aeroportuale, të cilat do të çonin automatikisht në uljen e çmimit të biletave./TCH