Mund të jesh kryeministër, por dhe instagramist i fiksuar. Për të zbutur protestuesit apo ironizuar me opozitën, Edi Rama përdor (abuzon thonë kundërshtarët e tij) rrjetet sociale, ku ai është një yll i vërtetë për rajonin e Ballkanit.
Në mes të dhjetorit, pas një refuzimi nga studentët protestues që të negocionin në zyrën e tij, ai poston një pikturë që e tregon të angazhuar në një kërcim me bel nën ritmet e një kënge shqiptare: “Të pres si gjithmon’/ por ti më the: Mos më prit atje. Përsëri të pres (…) e di se do të vish një dit’”.
Një deputet i së djathtës i lëshon një vezë një javë më vonë? Ai kundërpërgjigjet me një pulë që bën vezë dhe që ka fytyrën e kreut të së djathtës, Lulzim Basha, partia e të cilit bojkoton Parlamentin prej disa muajsh.
Ai kthen modelin e flokëve të kundërshtarit tjetër të tij në një kungull të “Halloween”, ish-kryeministri Sali Berisha, armiku i tij më i ashpër politik. Ky i fundit e quan “hajdut psikik i lidhur me krimin e organizuar”, Edi Rama e ngjit fytyrën e kundërshtarit të tij 74-vjeçar me trupin e këngëtares amerikane Meghnan Trainor dhe e bën të tundet nën ritmet e “All about that bass”.
Rezultati: në rrjetet sociale të Ballkanit, Edi Rama, i cili publikon pa dallim imazhe private dhe foto të takimeve të tij me krerët e tjerë të shteteve, është Guliveri në vendin e Liliputëve.
Të zbusësh dhe të frikësosh
Ai ka më shumë se 1,1 milionë ndjekës në “Facebook”, dy herë më shumë se sa Lulzim Basha.
Raporti i forcave është edhe më i çekuilibruar në “Twitter” (329 000 kundrejt 6 200) apo në “Instagram” (264 000 ndjekës, gati katë herë më shumë). Kreu i fuqisë tjetër rajonale të Ballkanit Perëndimor, serbi Aleksandar Vuçiç as që i afrohet.
“Rama përdor humorin si një armë politike me dy presa: për të zbutur situatën dhe për të frikësuar kundërshtarin”, shpjegon Iris Luarasi, eksperte e komunikimit politik.
Stili i zgjedhur nga ky artist-piktor 54-vjeçar është shpeshherë therës dhe efikas.
Një qytetari kritik, ai i shpjegon se nuk ka një “shkop magjik për të mbyllur menjëherë plagët që të tjerë kanë hapur në Shqipëri prej një gjysmë shekulli”.
“Mund të jem ironik ose sarkastik, por ju nuk më keni dëgjuar asnjëherë dhe nuk do më dëgjoni kurrë të bëjë akuza poshtëruese”, tha para studentëve Edi Rama gjatë një debati të fundit televiziv.
Ai tregohet më pak i sjellshëm me kundërshtarët e tij… Pas episodit të vezës në Parlament, mesazhi në “Twitter” @ediramaal është shumë më i ashpër se sa ai në “Instagram”: “Gjatë muajve të bojkotit, opozitarët paskan vrarë kohën koteceve duke dhunuar pula e vjedhur vezë (…)”.
Kur një qytetar e pyet në “Facebook” i thotë se toni që ai përdor në rrjetet sociale nuk përputhet me atë të një përgjegjësi të nivelit të tij, Edi Rama i përgjigjet: “Më mirë një kryeministër që bën humor se sa një kryeministër që vret, që dhunon, që shkatërron vendin e tij”, duke aluduar për të djathtën që e largoi nga pushteti në vitin 2013.
Editorialist dhe polemist
I pyetur nga AFP, shërbimi i tij i komunikimit nuk pranoi të shprehej lidhur me këtë çështje. Por, zyrtari theksoi se ai i administron vetë llogaritë e tij, deri natën vonë, duke u shprehur se e bënte me kënaqësi, madje do ta bënte edhe pas vdekjes.
“Në atë botë, do të gjeni një kryeministër që i përgjigjet çdo mesazhi në Whatsap dhe që do të publikojë foto në Instagram”, shkruan ai në Facebook.
Por, kjo është kryesisht një mënyrë për t’i rënë më shkurt se mediat tradicionale.
“Ai ka marrë përsipër rolin e editorialistit dhe të kritikut”, shpjegon Aleksandër Çipa, kryetar i Unionit të Gazetarëve.
“Ai nuk ka nevojë që ta dëgjojnë, vetëm që t’i bindë të tjerët se ka të drejtë”, shpreh keqardhjen kolegu i tij, Lutfi Dervishi.
Kush e ndjek Edi Ramën në Facebook, ka shumë shanse ta fillojë ditën me një “Mirëmengjes” të Kryeministrit i cili e fton për një bisedë të drejtpërdrejtë.
“Bekimit”, një ndjekësi në rrjetet sociale i cili i shpjegon se me këtë aktivizim në Facebook do të ishte shkarkuar nga detyra në Zvicër, ai i përgjigjet: “Të flasësh me popullin tënd është një detyrë, jo humbje kohe… Mos u shqetëso, kur unë fillova të përdorja Twitter, politikanët zviceranë nuk ia kishin idenë rrjetit social”.
Dhe në mbyllje: “Mos e harxho mundësinë e komunikimit me mua me budallallëqe. Ndoshta mund të flasim për diçka të dobishme”