Një trafikant droge, i cili fshehu kokainën nën parket është urdhëruar që të paguajë mbi gjysmë milioni Paund të fituara nga aktiviteti i tij kriminal. Agim Toska është shqiptari, i cili është kapur me drogë të klasit A në Eastbourne të Britanisë së Madhe. Policia bastisi një shtëpi ku gjeti kokainë me vlerë 75 mijë Paund të fshehur poshtë parketit. Po ashtu aty është zbuluar një sasi kanabisi me vlerë 50 mijë Paund. Operacionet e drogës së Toskës u zbuluan pas kontrolleve të mëtejshme në shtëpinë e tij, celular dhe dokumente që vërtetonin lidhjen me grupet kriminale.
26-vjeçari u dënua me 9 vjet e 7 muaj burg për këtë akuzë. Ai doli sërish para gjykatës këtë javë ku u zbulua se kishte përfituar mbi 656 mijë Paund nga aktiviteti i paligjshëm. Gjykatësja e urdhëroi shqiptarin që të paguajë 511 mijë Paund përndryshe do të vuajë edhe 7 vite të tjera shtesë pas qelisë. Prokurori i çështjes ka argumentuar se Agim Toska ka 511 668 Paund asete të cilat duhen konfiskuar.
Media britanike, The Argus, ka mësuar se Toska ishte pjesë e një grupi kriminal që merrej me shitjen e drogës në Sussex. ADN-ja e tij u gjet në pronën ku ndërhyri policia në vitin 2019. Fillimisht në Korrik të po atij viti, policia ndaloi një Toyota Yaris dhe gjeti që Artur Schuli-n, një shitës makinash, por që kërkohej nga drejtësia italiane pasi është marrë me drogë.
Personi i tretë i përfshirë në këtë grup është Marsel Toska, kushëriri i Agim Toskës. Ai u ndalua teksa i afrohej një makinë. Në një çantë, shqiptari mbante 16 mijë Paund cash. Pas kontrollit në banesë, atij iu gjet një çantë plastike me 2 mijë Paund dhe një pasaportë false.
Në Gusht të vitit 2019 Agim Toska u dënua me 9 vjet e 7 muaj burg me akuzën e shpërndarjes së kokainës dhe kanabisit dhe posedimin e aseteve të ngritura në paligjshmëri. Marsel Toska u dënua me 6 vjet e 9 muaj burg për shpërndarje kokaine dhe përdorim të dokumenteve false. Astur Schuli u dënua me 6 vjet burg vetëm për akuzën e shpërndarjes së kokainës.