Sheshi “Skënderbej” ka pushtuar sërish mediat më të njohura botërore. Pas triumfit këtë verë në Barcelonë ku mori çmimin europian si ‘Hapësira më e bukur publike për 2018’, sheshi ‘Skënderbej’ është vlerësuar nga mediat e huaja për dekorimet dhe atmosferën e ngrohtë për të mikpritur festat e fundvitit.
Agjencia franceze e lajmeve AFP ka publikuar foton e realizuar nga fotoreporteri i talentuar Gent Shkullaku ku shfaqet plot drita sheshi “Skënderbej”, ku Bashkia e Tiranës ka ngritur “Fshatin e Festave”, një hapësirë festive ku qytetarët mund të kalojnë kohën dhe të argëtohen. “Pamje ajrore e sheshit kryesor të Tiranës ndezur me dekorimet e Krishtlindjeve”, shkruan AFP.