Bota Agjencitë e huaja të spiunazhit nisin hetimet për shëndetin e Angela Merkel

Agjencitë e huaja të spiunazhit nisin hetimet për shëndetin e Angela Merkel

Gazeta gjermane “Bild” raporton se agjencitë e huaja të spiunazhit kanë nisur hetimet për kancelaren e Gjermanisë Angela Merkel, me synim për të zbuluar sëmundjen e saj. Justifikimet që ka dhënë zyra e shtypit e Kancelares nuk kanë bindur këto agjenci dhe tashmë kërkojnë të zbulojnë se për çfarë arsye iu shkaktuan të dridhurat Merkelit.

Në dy takime zyrtare, Kancelarja gjermane u filmua nga kamerat duke u dridhur. Zyra e saj tha se të dridhurat iu shkaktuan nga dehidratimi dhe nuk ka asgjë serioze. Ndërsa në samitin e G20 në Japoni që u zhvillua së fundmi, Merkel mbajti një profil të ulët. 64-vjeçarja u pyet nga gazetarët edhe në këtë samit rreth shëndetit të saj, por ajo këmbënguli se është në gjendje të mirë. Agjencitë e spiunimit tashmë po përpiqen që të zbulojnë çfarë i ka shkaktuar të dridhurat Kancelares gjermane.

Ndër të tjera, në artikullin e saj, Bild shkruan: “Një burim nga Inteligjenca perëndimore tha se është i sigurt që Kancelarja gjermane ka problem shëndetësor neurologjik”. Bëhet fjalë për udhëheqësen e Gjermanisë, shteti me rëndësinë më të madhe në Bashkimin Europian, dhe për këtë arsye liderët e vendeve të tjera kanë udhëzuar shërbimet e tyre të inteligjencës për të zbuluar më shumë rreth shëndetit të Angela Merkel.