Juventusi është duke pritur që Chelsea të lirojë Maurizio Sarri dhe të jetë në gjendje të zyrtarizojë atë si trajner të ri të kampionëve të Italisë. Ndërkohë, klubi bardhezi po lëviz edhe në drejtime të tjera, të cilat kanë të bëjnë po me stolin drejtues. Siç raportohet nga “Tuttosport”, Andrea Agnelli ka piketuar Andrea Pirlon. Qëllimi? Ta bëjë atë sërish pjesë të projektit të Juventusit.
Kuptohet, jo duke luajtur në fushën e blertë, si më parë, por me një pozicion drejtuesi. Momentalisht, tri lloje të ndryshme detyrash mund t’i propozohen ish-mesfushorit brilant italian. Pirlo mund të bashkohet me stafin e trajnerit të ardhshëm të Juventusit, i cili, pa surpriza të bujshme, do të jetë Maurizio Sarri. Një rol zëvendësi i 60-vjeçarit mund t’i lejojë Pirlos të konkurrojë direkt në futbollin të madh, së këndejmi.
Nga ana tjetër janë edhe dy sfida më tërheqëse, duke pasur parasysh një rol parësor, jo atë të zëvendësit. Presidenti Agnelli i propozoi ish-yllit të Juves stolin e të rinjve, ose të U-23. Nga këtu, Pirlo mund ta niste karrierën e trajnerit si “violinë e parë”. Përgjigjja e “maestros” pritet për pak ditë, nuk do të zgjasë shumë. Ish-lojtari i Juventusit dhe Milanit, megjithatë, është shumë i pavendosur, sepse do të dëshironte të vazhdonte edhe rolin e analistit të “Sky Sport”, për të paktën edhe një vit tjetër.