Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla thotë se drejtësia duhet të bëjë punën e vet, teksa iu përgjigj pyetjes së gazetarëve, në lidhje me një implikim të mundshëm të ish-ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj në aferën e inceneratorëve.
Balla u shpreh se kuvendi e ka paraqitur qëndrimin e tij në lidhje me këtë çështje, me materialin e plotë të Komisionit Hetimor parlamentar.
“Mendoj që duhet të lëmë drejtësinë të bëjë punën e vet. Në fund të fundit, edhe media është një pushtet në demokraci, jo më kot quhet pushteti i katërt, por edhe pushteti i medias nuk është i pakufizuar në kuptimin që, sa kohë nuk ndikon në pavarësinë e një institucioni tjetër.
Unë ju thashë, pozicioni ynë për këtë çështje, është në një material shumë të plotë që janë gjetjet e Komisionit Hetimor parlamentar. Ne nuk komentojmë dhe nuk duhet të komentojmë asnjëherë çështjet të cilat janë nën hetim”, theksoi ai.