Manchester City u kualifikua për në gjysmëfinale të “Carabao Cup”, të martën në mbrëmje, pas një përplasjeje dramatike me Leicester City, duke arritur kulmin te goditja e penalltive, prej nga “qytetarët” triumfuan 3-1, falë “heroizmit” të Arijanet Muric, portierit të kombëtares së Kosovës.
Një ndeshje, që pati edhe rikthimin e Kevin De Bruyne në fushat e blerta.
Belgu, i cili mori 71 minuta aktivizim, pati lavdërime të shumta për portierin 20-vjeçar. “Ishte një ndeshje e hapur dhe në fund, ky djalë na ndihmoi të siguronim gjysmëfinalen, – tha belgu për “Sky Sports”.
– Ai bëri disa pritje të mëdha. Nuk ka emocione, është i ftohtë, akull. Arijanet bëri atë që duhej të bënte, por në fund mendoj se është vetëm një moment i bukur për të”.
De Bruyne ka qenë i dëmtuar dhe tifozët e Manchester City ishin të etur për kthimin e tij.
“Është e vështirë të luash, pasi ke qenë i dëmtuar për pesë muaj, – tha duke qeshur belgu. – Por, tani ndihem mirë. Kam luajtur 70 minuta dhe kjo është një shenjë vërtet e mirë për mua. Ndihem pak i ngurtë, por jam i lumtur të kontribuoj sërish.
Dhe, sigurisht, ne duam të fitojmë tituj, prandaj jemi në gjysmëfinale. E dimë se janë edhe dy ndeshje të tjera në këtë garë dhe mund të luftojmë përsëri për një tjetër trofe. Ky është qëllimi ynë”.