Pothuajse 2000 vjet pas shpërthimit më të famshëm vullkanik në historinë njerëzore autoritetet në Pompei kanë diskutuar një plan të ri evakuimi në rast se mali Vezuv do të shpërthejë sërish.
Sipas planit, që u diskutua pas një shtimi të aktivitetit sizmik kohët e fundit, njerëzit që jetojnë në dhe përreth qytetit italian, do të evakuohen drejt Sardenjës me anije. Ekspertët nga Agjencia e Mbrojtjes Civile dhe Bashkia e Pompeit nënvizuan se nuk ka arsye për tu përfshirë nga paniku dhe se masat janë pjesë e planifikimeve standarde të emergjencave në raste katastrofash ambientale.
Muajin e kaluar, Flavio Dobran, një nga ekspertët me më shumë njohuri mbi Vezuvin, paralajmëroi se pa një plan emergjence, një shpërthim, do të mund të vriste mijëra njerëz. Në shekullin e 79 pas lindjes së Krishtit, qyteti i lashtë i Pompeit u shkatërrua nga një shpërthim që i mori jetën më shumë se 2 mijë personave. Rrënojat e qytetit janë një nga sajtet arkeologjike më të vizituara në botë. Më 16 tetor të këtij viti, arkeologët zbuluan një mbishkrim që sugjeronte se shpërthimi kishte ndodhur në tetor dhe jo në gusht siç ishte menduar më herët.
Pesë ditë më pas, dy tërmete të magnitudës 1.7 dhe 1.6 të shkallës rihter u regjistruan nga sizmologët në observatorin në Vezuv. Më 1 dhjetor u regjistrua një tjetër tërmet dhe autoritetet thonë se aktiviteti i shtuar është normal për momentin dhe nuk ka arsye për panik. Kërkimet tregojnë se shpërthimet e shkallës së mesme të vullkaneve si Vezuvi, ndodhin një herë në çdo katër apo pesë shekuj.
Shpërthimi më i fundit i Vezuvit ka ndodhur në 1631 dhe shkatërroi një pjesë të madhe përreth vullkanit duke i marrë jetën mijëra personave. Zona përreth Vezuvit është e banuar nga 3 milionë banorë, çka e bën atë rajonin më të populluar vullkanik në të gjithë botën.