Udhëheqësi Suprem i Iranit Ayatollah Ali Khamenei ka reaguar pas sulmit ndaj dy bazave amerikane në Irak.
Në deklaratën e tij ai ka sulmuar edhe Shqipërinë ku strehohen 3,200 anëtarët e lëvizjes së rezistencës iraniane, pjesë e Organizatës Popullore të Muxhahedinjëve të Iranit, (MEK).
Khamenei tha se në një shtet të vogël europian ishin përpjekur të komplotojë kundër Iranit.
“Në një vend europian, një vend i vogël evropian, por shumë i pabesë, një numër mercenarësh iranianë dhe tradhtarësh u bashkuan me disa të huaj dhe u përpoqën të konspironin kundër Republikës Islamike të Iranit dhe skema ishte e njëjta, për të rritur çmimin e karburanteve dhe njerëzit të dilnin në protesta”, tha Khamenei pa e përmendur konkretisht emrin e Shqipërisë.
Në vendin tonë ndodhet një kamp ku janë strehuar 3,200 pjesëtarë të organizatës opozitare iraniane Mujahedeen el Khalq (MEK), ndërsa në 20 dhjetor 2019, shteti shqiptar dëboi ambasadorin e Iranit, Gholamhossein Mohammadnia dhe një diplomat të kësaj ambasade për cenim të sigurisë kombëtare.
Në tetor të vitit të kaluar, Policia shqiptare njoftoi zbulimin e një celule aktive terroriste të njësisë së operacioneve të jashtme të Forcave QUDS iraniane. Në atë kohë, drejtori i Policisë, Ardi Veliu, tha celula terroriste është gjithashtu përgjegjëse, mes të tjerash, për planin e muajit mars 2018 për kryerjen e një akti terrorist gjatë kremtimeve të Festës së Nevruzit, të frekuentuar nga anëtarë të nivelit të lartë të organizatës opozitare iraniane Mujahedeen el Khalq (MEK), plan që u parandalua nga masat e shtuara të Policisë së Shtetit, falë informacioneve të sakta.