Këngëtarja e famshme shqiptare, Dua Lipa, ka dhuruar 150 mijë euro për një qendër arti, për të rinjtë në kryeqytetin e vendlindjes së saj Kosovës, pak ditë para fillimit të festivalit të saj “Sunny Hill”, ku do të ketë edhe performanca nga personalitete të popit si Calvin Harris dhe Miley Cyrus.
Bëhet fjalë për një maratonë tre ditore në Prishtinë dhe lajmin për hapjen e një akademie muzikore për talentet e reja, e dha vetë Dua, në një konferencë për shtyp, ku krah saj kishte të atin dhe kryetarin e komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti.
“Ky do të jetë përfundimisht një projekt i madh dhe diçka për të cilën ne jemi shumë të entuziazmuar. Mendoj se do të jetë e jashtëzakonshme. Ne do ti japim diçka komunitetit tonë, kemi mundësinë që të sjellim artistë ndërkombëtarë të shohin Kosovën, ta shohin atë në një tjetër mënyrë, ta përjetojnë atë dhe kulturën e saj”, ka thënë Dua Lipa.
Projekti do të titullohet “Sunny Hill Academy” dhe do të jetë i vendosur në pallatin e rinisë në Prishtinë.
“Kur unë rritesha, këtu në Kosovë, mund të numëroja me gishtat e duarve koncertet në të cilat kisha qenë, sepse pak artistë vinin këtu. Ndaj ishte për ne gjithnjë një ëndërr të sillnim artistë nga e gjithë bota në Prishtinë dhe të krijonim diçka të re”, thotë Dua.
Ndërsa për Shpend Ahmetin, festivali “Sunny Hill”, me emra si Miley Cyrus apo Calvin Harris, është mënyra më e mirë e mundshme për të promovuar Kosovën.