Pak e pëlqyer dhe e kundërshtuar nga anëtarët e partisë së saj, Annegret Kramp-Karrenbauer (AKK), e cila hoqi dorë nga posti i ardhshëm i kancelares, do të jetë presidentja më jetëshkurtër e partisë konservatore gjermane, në një atmosferë të rëndë në fund të ”mbretërimit” të Angela Merkel.
E njohur dikur si “Merkel bis” apo “miniMerkel” për afrimin e saj me kancelaren, AKK, 57 vjeçe, fitoi me një rezultat të ngushtë presidencën e Unionit Kristian-demokrat (CDU) në 2018 gjatë një kongresi historik, ku mentorja e saj i dorëzoi drejtimin e partisë pas rreth 20 viteve.
Teorikisht, posti i hapi rrugën drejt kancelarisë, kur Angela Merkel do ta mbyllë në 2021 mandatin e saj të katërt dhe të fundit.
Por, që prej fillimit AKK dha idenë se nuk ishte në lartësinë e detyrës.
Kataklizma politike në Thuringia, ku CDU dhe ekstremi i djathtë për herë të parë votuan së bashku për të sjellë në presidencën e rajonit një kandidat liberal, shkaktoi një goditje.
“Pafuqia e saj për t’u përballur me shefin rajonal të konservatorëve, i cili refuzoi zgjedhje të reja, ka treguar një mungesë të autoritetit absolut”, thekson politologu Albrecht von Lucke për radion publike.
Vazhdimësi
Zgjedhja e saj si presidente e re ishte menduar si një vullnet për vazhdimësinë e politikës centriste të Angela Merkel, përballë avokatit Friedrich Merz, mbështetës i një orientimi në të djathtë, i cili mendonte se do të rimerrte votuesit konservatorë të larguar drejt ekstremit të djathtë Alternativa për Gjermaninë (AfD).
Pak pas zgjedhjes së tij, AKK kërkoi bashkim të lëvizjes së tij në një peizash politik gjithnjë e më të ndarë, ku partitë e mëdha tradicionale CDU dhe Social-demokratët humbën zgjedhjet në përfitim të AfD dhe të të gjelbërve. Por, ajo nuk arriti të bashkojë anëtarët e saj.
Vullneti i Angela Merkel për të ruajtur postin e kancelares duke braktisur drejtimin e një partie që ajo drejtoi me një dorë të hekurt nuk e ka lehtësuar detyrën e pasardhëses së saj.
Kurajë dëshpëruese
Kjo katolike, mama e tre fëmijëve, ka tronditur duke sulmuar lirinë e fjalës në internet pas një video anti-CDU nga një përdorues i Youtube-t. Edhe një shaka mbi komunitetin transgjinor gjatë karnavaleve është përjetuar keq.
Propozimi i saj për të krijuar një zonë ndërkombëtare sigurie në veri të Sirisë pa u konsultuar me kolegët e saj të qeverisë, apo aleatët e NATO-s, përfundoi me diskreditim, këtë herë në nivel ndërkombëtar.
Për “Der Spiegel” përpjekjet e saj të përhershme për të fituar një staturë kombëtare duke u bërë ministre e Mbrojtjes kanë zbuluar një kurajë dëshpëruese.
Annegret Kramp-Karrenbauer ishte pak e njohur në nivel kombëtar para se të katapultohej në krye të CDU-së.
Më parë ajo e kishte filluar karrierën në Sarre, rajon i vogël i Gjermanisë në kufi me Francën, ku ishte shumë popullore.
Çdo vit, gjatë karnavaleve, asaj i pëlqen të performojë nën maskën e “Pastruesja Gretel”, që përdor dialektin saar kundër politikës berlineze.
Performancë nga e cila hoqi dorë këtë vit./ATSH-AFP/