Punimet në tre lotet e rrugës Kardhiq-Delvinë kanë avancuar në 60 përqind të tyre duke dhënë garanci se kjo vepër do të jetë gati para afatit të parashikuar. Gërmimet për trupin e rrugës kanë përfunduar ndërsa janë drejtë fundit ato për ndërtimin e veprave të artit.
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, së bashku me drejtoreshën e Autoritetit Rrugor Shqiptar, Sonila Qato, inspektuan ecurinë e punimeve në lotin 5.
Ministrja Belinda Balluku bëri të ditur se problematikat e shfaqura për shkak të terrenit ku shtrihet rruga kanë marrë zgjidhjen e duhur teknike dhe se tashmë punimet po vijojë normalisht. Balluku tha gjithashtu se ka përfunduar edhe ndërtimi i kanalit vaditës në fshatin Fushë-Vërri, një vepër e cila nuk ishte e parashikuar në projekt por u bë e mundur në saj të bashkëpunimit mes ARRSH-së dhe investitorit, pas kërkesës së banorëve.
“Ecuria e punimeve në lotin 5 në rrugën Kardhiq-Delvinë duket se po shkon mirë. 60 përqind e volumit të punimeve ka avancuar. Kryesisht kemi përfunduar pjesën e gërmimeve qoftë për trasenë e rrugës e cila është gati edhe qoftë për krijimin e veprave të artit. Problematikat këtu i kemi diskutuar dhe terreni është i vështirë për të thënë të drejtën, ka pasur edhe rrëshqitje në disa nga rastet megjithatë po bëhet një punë e mirë e cila na jep shpresë se ndoshta do mbarojmë edhe para afatit”, u shpreh Balluku.
Nga ana e saj, Sonila Qato theksoi se Këshilli Teknik i Autoritetit Rrugor Shqiptar ka dhënë zgjidhje teknike për të gjitha problematikat e paraqitura nga ana e supervizorëve. “Kemi diskutuar të gjitha problematikat që kanë pasur të trija lotet të cilat janë duke punuar, si loti 4,5 dhe 6, për të korrigjuar ato defekte të paraqitura nga ana e supervizorit dhe për t’u riprojektuar siç duhet dhe marrë masat në mënyrë që vepra të eci me të njëjtat ritme dhe gjatë kësaj periudhe të thatë kohore ku punohet me ritme të mira të treja kompanitë të kenë mundësi të ndjekin grafikun e punimeve të miratuara”, nënvizoi Qato.
Krahas ndërtimit të rrugës po punohet edhe për rehabilitimin e depozitimeve të inerteve me standardet e TAP ndërsa është bërë e mundur edhe lidhja e fshatrave që shtrihen përgjatë aksit Kardhiq-Delvinë me rrugën e re.