Dy persona humbën jetën mëngjesin e së hënës si pasojë e një aksidenti rrugor në aksin Fier-Levan. Ata janë Nue Preçi 62 vjeç dhe Pashke Malçi 61 vjeç, të dy banues në Tiranë.
Aksidenti ndodhi rreth orës 7 e 20 në vendin e quajtur “Kthesa e Qarrit”, teksa automjeti tip “Toyota” me të cilin ata udhëtonin ka dalë nga rruga dhe ka rënë në një kanal me ujë. Ishin banorët e zonës ata që mbërritën të parët në vendin e ngjarjes dhe që bën të mundur nxjerrjen e makinës me trupat e viktimave nga kanali me një mjet bujqësor.
Ekspertët rrugorë nuk e kanë përcaktuar nëse shkak ishte shpejtësia apo pakujdesia. Por banorët thonë se rruga është e pasigurt dhe burim i vazhdueshëm aksidentesh.
Burime nga policia bëjnë të ditur se nga këqyrja paraprake e automjetit dhe viktimave dyshohet se vdekja e tyre ka ardhur si pasojë e mbytjes, pasi përplasja nuk ka qenë e madhe. Dy viktimat, banues në Tiranë ishin duke shkuar te vajza e tyre në fshatin Qarr.