Numri i madh i aksidenteve me vdekje nëpër rrugët e Shqipërisë ka bërë që të propozohen ndryshime në kodin rrugor, të cilat përkthehen në shumëfishim të gjobave për drejtuesit e automjeteve. Gjobat do të rriten për përdorim të celularit, parakalim të gabuar, mosdhënie të përparësisë, ndërsa propozohet edhe testi i “idiotit”, vlerësimi i gjendjes psikologjike të drejtuesit të mjetit, siç ndodh në disa vende të BE-së.
Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku, kreu i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu si edhe kryebashkiakë e ekspertë të fushës u bënë bashkë sot për sigurinë rrugore dhe për të ndarë një plan masash, gjë që do të evitojë aksidentet rrugore.
Ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku, u shpreh se viti 2020 është shpallur si vit i sigurisë rrugore, ndërsa vuri theksin në ndërgjegjësimin e qytetarëve sa i takon respektimit të rregullave të trafikut.
Ajo është ndalur edhe te detyrat e ARRSH-së, duke thënë se “duhet të krijohen rrugë me standarde europiane në mënyrë që të kenë sinjalistikën e nevojshme për parandalimin e aksidenteve”.
Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, gjatë fjalës së tij, e vuri theksin te korrupsioni që është ende i pranishëm në dhënien e lejeve të drejtimit.
“Në 10 vitet e fundit kemi rënie të fataliteteve në rrugë. Por, korrupsioni është ende i pranishëm, ka persona që nuk e meritojnë lejen e drejtimit. Shumë autoshkolla ende nuk kanë plotësuar kriteret. Ata duhet të mbajnë përgjegjësi për nxënësit. Do propozojmë akreditimin e autoshkollave”, u shpreh ministri Lleshaj.
Lleshaj theksoi faktin edhe të drejtimit të automjetit në gjendje të dehur dhe përdorimin e celularit.
“Ka shumë drejtues automjetesh nën efektin e alkoolit dhe prandaj duhet rishikuar gjoba. Po ashtu një shkak aksidentesh është edhe përdorimi i celularit”, u shpreh ai.
Te programi i masave, Lleshaj u ndal edhe te testet e vazhdueshme psikologjike, një ndër ta testi i ‘idiotëve’.
“Kërkohet një program i gjerë masash. Teste të vazhdueshme psikologjike. Në raste e drejtuesve që nuk sillen normal. Do bëjmë testin e “idiotëve” që quhet në vendet e tjera. Si dhe trajnimi i vlerës së lejes së drejtimit. Përdorimi i teknologjisë moderne në përmirësim dhe rezultate të reja. Sensor dhe pajisje të tjera. Do të duhet që të rregullohen. Do të rriten masat”, tha ai.
Lleshaj ngriti edhe një tjetër problem që lidhet me sigurinë rrugore, semaforin.
“Semafori është një teknologji që njihet vetëm në Tiranë. Ka ardhur koha që semaforët të mbërrijnë edhe në qytete. Bashkitë e vendit duhet të përfshihen më fort në këtë proces”, tha Lleshaj.
Ministri tha ndër të tjera se “është fakt që shumica e vrasjeve ndodhin pasi përdorin mjete të vjedhura, ne po mendojmë fort për të kufizuar krimet në këtë fushë. Do të ketë kufizime edhe në automjetet e blinduara, do të kufizohet liria e veprimit të trafikantëve”.
Sipas ministrit shpresohet që deri në fund të muajit shkurt të listohen të gjitha propozimet, që më pas do i propozohen qeverisë.