Një aksident i rëndë ka ndodhur mëngjesin e sotëm në Rubik ku ka humbur jetën një person dhe janë plagosur 8 të tjerë. Aksidenti ndodhi në qytet Rubik, ku një autobus që po lëvizte drejt Kosovës u përplas me një autoveturë tip “Alfa Romeo” me drejtues shtetasin Led Caka.
Si pasojë e përplasjes humbi jetën në vend drejtuesi i autoveturës, ndërsa plagosën 8 pasagjerë të autobusit.
“Si pasojë e përplasjes ka ndërruar jetë drejtuesi i mjetit “Alfa Romeo” shtetasi L.C si dhe kanë marrë dëmtime 8 shtetas që ndodheshin pasagjerë në mjetin me drejtues shtetasin K.M.,të cilët janë dërguar në spitalin e Mirditës dhe Kurbinit dhe ndodhen nën kujdesin mjekësor”, njofton policia.
Autobusi raportohet se po transportonte turistë nga Tirana në Brezovicë.
Grupi hetimor në vendngjarje punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.