Lulzim Basha ka reaguar për aksionet anti-informalitet të qeverisë, për të cilat thotë se “po u grabiten paratë bizneseve të vogla”.
Sipas kryetarit të Partisë Demokratike, Kryeministri Rama është sponsorizuesi dhe përfituesi i informalitetit të vend dhe favorizues i oligarkëve.
Në postimin e tij në Facebook, Lulzim Basha kujton edhe paketën Antimafia të prezantuar nga PD Shtatorin e një viti më parë, kur identifikuan biznesmenët, që sipas Bashës, përfitojnë nga buxheti i shtetit.
Lulzim Basha thotë se Partia Demokratike do të anulojë këto politika fiskale që kanë të bëjnë me koncensionet pasi të vijë në pushtet.
Deklarata e kryetarit të PD Lulzim Basha:
Dhuna e gjobave dhe sekuestrimeve ndaj sipërmarrjeve të vogla që sigurojnë mbijetesën e shumicës së familjeve shqiptare, bëhet për të grabitur paratë e tyre për të financuar grykësinë dhe luksin e Edi Ramës dhe klientëve të tij milionerë. Si hajdut psiqik që është, vodhi të gjithë buxhetin e shtetit me kontrata dhe koncesione kriminale, por nuk do ndalet deri sa të vjedhë edhe pikën e fundit të mundit dhe gjakut të shqiptarëve. Edi Rama është kërcënim dhe rrezik për jetën dhe sigurinë e çdo familje shqiptare.
Rama është sponsorizuesi dhe përfituesi kryesor i informalitetit. Ai kaloi ligjet që favorizojnë klientët dhe oligarkët e tij, ndërkohë që rëndon me taksa dhe tarifa sipërmarrjet e vogla dhe të mesme.
Ndryshe nga Rama ne besojmë në një ekonomi të lirë dhe konkurruese.
Vjet në shtator ne prezantuam paketën Antimafia. Në të identifikuam kush janë përfituesit dhe abuzuesit e mëdhenj të buxhetit të shtetit si dhe rrugët që ndjek qeveria për t’i favorizuar.
U treguam shqiptarëve ligjet speciale Rama, taksat preferenciale Rama të aplikuara nga qeveria ndaj oligarkëve, tenderat Rama që ata kanë përfituar në kundërshti me ligjin si dhe koncesionet (PPP). Ua treguam me emër shqiptarëve se kush janë ata që përfitojnë nga këto grabitje ne ligj. Në Partinë Demokratike kjo listë po shtohet e plotësohet.
Ky është vetëm fillimi i zgjidhjes. Do të anulojmë të gjitha politikat fiskale që janë me emër biznesi, do të lehtësojmë barrën fiskale për gjithë sipërmarrjen. Mbi të gjitha do të marrim masa për të ndëshkuar mafian që fshihet pas oligarkisë. Me parimin “ndiq paranë” do të bëjmë të mundur që biznesi i ndershëm të punojë dhe të ndëshkohen abuzuesit!