Kryeministri Edi Rama ndodhet sot në Dibër, ku është takuar me qytetarë dhe po zhvillohet edhe Asambleja e Zgjeruar e Partisë Socialiste.
Ndër të tjera, Edi Rama komentoi punën e organeve të reja të drejtësisë por edhe ndërprerjen e jetës parlamentare për shkak të aksionit të ndërmarrë nga opozita prej disa javësh tashmë.
Kryesocialisti përsëriti qëndrimin që ka mbajtur me të vetët, që nëse do të bien në rrjetën e organeve të drejtësisë, rrugën do të duhet ta vijojnë të vetëm.
“Në Shqipëri nuk ka individë të pandëshkueshëm. Kjo duhet të bëjë krenar, çdo anëtar të kësaj familjeje politike. SPAK-u nuk erdhi as nga hëna as nga Amerika as nga BE. Erdhi nga nevoja e shqiptarëve për drejtësi që e mori përsipër ta adresojë PS… Nëse e kanë kërkuar belanë, dhe e gjejnë ta mbajnë vetë. Flas për të gjithë ata që kanë pasur, kanë apo do të kenë probleme me drejtësinë e re.”
Ndërsa, duke u ndalur tek aksioni i opozitës, të cilin e cilësoi si shfaqje, Rama theksoi se deputetëve të grupimit të Sali Berishës nuk u është mohuar asnjë e drejtë.
“Minimumi që mund të bëjmë është që të mos e ushqejmë atë shfaqje. Thonë që duan të drejta që po u mohohen. Kjo nuk është e vërtetë. Po u mohohet abuzimi me të drejtën për të bërë detyrën. Tejkalimin e të drejtës në emër të të qenit deputet. Është gënjeshtër, që një grup deputetësh kanë të drejtë që të bëjnë çfarë t’u teket.”
Sipas tij ajo që synojnë deputetët e Berishës është që të “shfrytëzojnë Kushtetutën dhe ligjet duke kapërcyer Kushtetutën.”
Sa i përket komisioneve hetimore parlamentare, që janë kërkesë e opozitës, kreu i qeverisë tha se as ngritja e tyre nuk mund ta tejkaloje Kushtetutën.
“Jo nëpër penxhere, por sikur të arrijnë deri në tarracë e të kapërcejnë shtatë penxheret, s’ka shanse që t’i bëjnë me miratimin tonë. Që nga 2013, kanë bërë të njëjtën gjë…”