Një tjetër vajzë showbizzi implikohet me botën e krimit, duke kaluar me shpejtësi nga faqet rozë në ato të kronikës së zezë. Kësaj herë fjala është për Marina Farën, vajzën e vetme të këngëtares së njohur nga Korça, Eli Fara.
Emri i juristes në profesion, që në media njihet më shumë si vajza seksi e këngëtares dhe modele “Instagram”-i, rezulton në listën e 53 personave të implikuar në aksionin “Mezhgorani”, që çoi në ndalimin e 28 personave, shumë prej të cilëve të dyshuar për trafik dhe shpërndarje të lëndëve narkotike.
Në përgjimet e bëra nga Prokuroria ka dalë edhe emri i Roxhensa Vangjush Kapurani, e datëlindjes 27.03.1986, e lindur në Korçë dhe banuese në Tiranë, emri i vërtetë me të cilën rezulton e regjistruar në regjistrin e Gjendjes Civile Marina Fara.
Sipas dokumentit zyrtar të siguruar nga redaksia e gazetës “Panorama”, ndaj Farës është marrë masa “Detyrim paraqitjeje” dhe kontroll banese. Sipas burimeve të sigurta pranë Policisë, ajo ka pasur kontakte të shpeshta telefonike me njërin nga të ndaluarit mëngjesin e së premtes.
Ndërkohë që dje në mëngjes, Marina Farës i është kontrolluar banesa në Tiranë, për të konstatuar nëse ka prova si lëndë narkotike apo armë, që e implikojnë në këtë aksion policor.
Por nga kontrollet e bëra, gjithçka ka rezultuar në rregull për vajzën e Eli Farës, e cila është përballur me një tjetër telash të vajzës. Ndërkohë që Prokuroria e Përmetit ka kërkuar për Marinën detyrim paraqitjeje, pritet vendimi që do të marrë Gjykata për të, që pritet ta shpallë gjatë ditës së nesërme.
Operacioni “Mezhgorani”
Ndërkohë, Policia e Shtetit dha ditën e djeshme detajet e para zyrtare në lidhje me këtë operacion të zhvilluar në disa qarqe të vendit, prej orëve të para të mëngjesit.
Në një konferencë për shtyp, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, foli për aksionin e shërbimeve të Policisë Gjyqësore në Departamentin e Policisë Kriminale, në bashkëpunim me Drejtoritë Vendore të Policisë Gjirokastër, Tiranë, Durrës, Fier, Shkodër, Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale dhe FNSH-në.
Pas një hetimi 6-mujor për procedimin penal të regjistruar në 2019 për falsifikim të kartëmonedhave, si rezultat i operacionit të koduar “Mezhgorani” nga Policia e Gjirokastrës, me metoda speciale hetimi, për disa vepra penale, u arrestuan 28 persona”, tha ai.
Gjatë orëve të para të mëngjesit të ditës së djeshme, shërbimet e Policisë Gjyqësore në Departamentin e Policisë Kriminale, në bashkëpunim me Drejtoritë Vendore të Policisë Gjirokastër, Tiranë, Durrës, Fier, Shkodër, Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale dhe FNSH-në, nën drejtimin dhe bashkëpunimin me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Përmet, pas një hetimi 6-mujor, në funksion të procedimit penal të regjistruar në vitin 2019 për veprat penale “Falsifikimi i kartëmonedhave”, finalizuan me sukses operacionin policor “Mezhgorani“.
Si rezultat i punës hetimore e procedurale nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Gjirokastër, në bashkëpunim me Departamentin e Policisë Kriminale, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Përmet, duke aplikuar metodat speciale të hetimit, u bë e mundur të dokumentohej aktiviteti kriminal për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, ‘’Falsifikimi i kartëmonedhave”, “Mbajtja pa leje e armëve të zjarrit dhe lëndëve plasëse”, “Organizimi i lotarive të palejuara”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale”, “Fshehja e të ardhurave”, “Mashtrimi” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”.
Si rezultat i provave ligjore të administruara, gjatë orëve të para të mëngjesit të djeshëm u bë ekzekutimi i urdhrave të ndalimit të lëshuar nga prokurori i çështjes në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Përmet dhe konkretisht të 28 personave, inicialet e të cilëve u publikuan në media.
Këtyre personave, në 4 episode të ndryshme kohore, iu është bërë e mundur t’u sekuestrohet sasia prej 128 kg lëndë narkotike cannabis sativa, droga të forta në formë dozash heroine dhe kokaine, 2 kallëpe lëndë plasëse tritol, shuma parash prej 10 milionë lekësh, shuma prej 7500 eurosh, 3500 euro të dyshuara të falsifikuara, 7 automjete, dokumente të dyshuara të falsifikuara dhe kontrata noteriale të ndryshme.
Në kuadër të operacionit, sot më datë 28.02.2020, u bë ekzekutimi i vendimit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Përmet për kontrollin e 61 banesave, mes të cilave edhe ajo e Marina Farës.
Kujtojmë që Marina Fara, vajza e këngëtares së njohur korçare, Eli Fara, ka ndryshuar emrin e saj pas pagëzimit.
Në regjistrin e Gjendjen Civile ajo figuron me emrin Roxhensa Kapurani, mbiemër që rrjedh nga babai i saj, Vangjush Kapurani. Ajo ka preferuar që në publik të prezantohet me emër të ndryshuar dhe mbiemrin e nënës së saj të njohur, Fara.
Nuk dihet pse Marina ka refuzuar të shmangë të dhënat zyrtare për babanë e saj problematik dikur dhe për t’u përfaqësuar me mbiemrin e tij Kapurani, fis ky jo pak i njohur në Korçë. /Panoramaplus.al