Aktorja e njohur nga Kosova, Arta Dobroshi, dhe partneri i saj, producenti i filmave, Shkumbin Jakupi, janë bërë prindër për herë të parë. Ndonëse prej çiftit nuk ka një reagim, Prive.al bën me dije se ata janë bërë prindër të një djali duke publikuar edhe një foto të çiftit teksa pozojnë me të porsalindurin.
Prive.al thotë se Arta dhe Shkumbini vendosën ta quajnë djalin e tyre Tom Engjëll, një emër në dukje sa modern aq edhe i veçantë.
Arta Dobroshi është një nga aktoret më të spikatura të kinematografisë në Kosovë, e cila fitoi më shumë famë kur shkeli në tapetin e kuq të Festivalit të Kanës, duke marrë kritika shumë të mira për rolin e saj në filmin “Lorna”, 2008. Në vitin 2017, filmi “Home”, një film për refugjatët, mori çmimin “Luani i Artë” në Festivalin e Filmit në Kanë dhe kur u thirr që të merrte çmimin, Arta theu protokollin duke zgjedhur të mbajë një fjalim të shkurtër, ndonëse fjalimet nuk lejoheshin.
“Nacionaliteti im është Lumturia në një vend që quhet Botë,” tha ajo. Në një intervistë për Jonida Podcast në dhjetor të 2018-s, Dobroshi u shpreh:
“(Momenti u prit) shumë mirë. E mendova aty për aty. Para se të dilja në skenë, diçka brenda meje më vlonte. Ishte e rëndësishme që njerëzit të kuptonin se refugjatët janë njerëz si unë, si ti. E dija që nuk lejohej të thoja ndonjë gjë, pasi ka aq shumë çmime dhe nuk parashikohen fjalime. Por kur dola në skenë, fokusi im ishte mikrofoni. Nuk e shihja fare çmimin. Personi aty u nis të më ndalonte, por besoj se energjia ishte shumë e fortë. Besoja që gjyshi ishte aty me mua. Shumë njerëz më vinin ndërmend. Kam ardhur si një, kam qëndruar si 10 mijë. Nuk isha vetëm.”
Së fundmi, ajo ishte pjesë e kastit të aktorëve të serialit “Gangs of London” një serial dramë-aksion, bashkëpunim britaniko-amerikan i prodhuar nga Pulse Films & Sister ku trajtohet rivaliteti i bandave dhe organizatave kriminale në Londër.