Perëndimi është thuajse i tëri në bllok kundër vendimit të opozitës për djegien e mandateve, duke deklaruar se njohin qeverinë legjitime të dalë nga zgjedhjet legjitime.
Ndërkohë që opozita thekson se po përpiqet t’i bindë ata se në Shqipëri ka nevojë për zgjedhje të parakohshme.
I ftuar në studion e “Top Talk”, Frrok Çupi u shpreh se qëndrimi i opozitës po i jep terren anti-perëndim.
“Ideja se Perëndimi nuk mund të na imponojë ne po rritet, po zgjerohet. Anti-perëndimi në shoqërinë shqiptare po merr terren”, u shpreh Çupi.
Sipas tij ky është rasti i parë prej vitesh që krijohet fluksi anti-perëndimor.
“Opozita ka një slogan që vjen nga tendencat ruse ‘Duam demokraci dhe jo stabilitet’, thotë se ‘Duam pranverën ballkanike’, ashtu siç kishim pranverën arabe. Që është një ndikim maksimalisht rus. Këto janë slogane dhe vija politike që opozita nuk i ngre pa qëllim”, u shpreh Çupi.
Frrok Çupi, më tej thotë se opozita është larguar për arsye të tjera nga Parlamenti, ndryshe nga ato çfarë pretendon.
“Fajet e mazhorancës nuk janë ato çfarë kërkon opozita. Ajo nuk është larguar nga Kuvendi për shkak të korrupsionit apo krimit. Ajo është larguar për motivet të tjera, që lidhen me interesat e veta dhe dobësinë e mazhorancës. Pas këtij vendimi qëndrojnë arsye e mendje të tjera. Një nga arsyet është dobësia e opozitës për të fituar zgjedhjet. Arsye tjetër është dobësia e demokratike e opozitës”, u përgjigj Frrok Çupi, duke shtuar se e gjithë turma po tërhiqet zvarrë nga liderët.
Ai shkon më tej duke thënë se qeveria është legjitime, e Shqipëria nuk mund të krijojë precedentë të tillë që në mes të mandatit opozita të thotë që nuk e pranoj këtë mazhorancë, pasi sipas tij krijohet precedenti se ne nuk mund të bëjmë shtet.