Presidenti Ilir Meta ka rreshtuar një akuzë të re për kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha. Në një intervistë për Fax News, Meta tha se informacionet e Bashës ishin ato që mund të kenë pasur vlerë për amerikanët.
“Unë mendoj dhe për çështjen e zotit Berisha nuk duhet kërkuar përgjegjësia thjesht tek Sorosi, ai ka interesat e veta që ato dihen. Nuk duhet kërkuar as tek Edi Rama, sepse dhe ai ka interesin e vetë.
Ne e kemi të qartë, edhe unë e kam të qartë, këtë gjë si drita e diellit që treçereku i dosjes është bërë me informacionet e kryetarit që e la. Sepse ai për çdo gjë e ka transformuar fajin apo përgjegjësinë.
Më 9 shtator që na përloti të gjithëve për atë vlerësimin që kishte për doktorin, për udhëheqësin historik. Por po ta shikojmë pastaj me gjithë, qëndrimet e tjera që ai doli, duke filluar nga akuzat për vitin 1997 e të tjera, kuptohet qartë gjithçka.
Problemi është që ai tjetri nuk të beson shumë kur shikon se dosjen ta bën kundërshtari politik. Por, kur i bënë njeriut yt atëherë ato që shkruhen aty merren si të besueshme, sepse na i ka thënë dikush që mendohet se është i besueshëm”, tha Meta që shtoi se për Bashën tani ndjen vetëm keqardhje.
“Unë, nuk dua të merrem më me atë. Unë, e kuptoj që ai është në hall shumë të madh dhe më vjen keq. Ai (Lulzim Basha), ka marrë detyrë të më provokojë edhe mua. Nesër mund të fusë Kinën dhe Rusinë në një aleancë kundër tij. Vetëm Edi Rama nuk është në këto çështje, që ai ja vonon çështjet nëpër gjykata etj.
Kurse ne të tjetër jemi në këtë situatë që, s’kemi punë tjetër dhe merremi me të. Kur Voltana Ademi, kryetarja e Bashkisë së Shkodrës thotë, që nuk e njoh, ça pret tani nga unë? Unë, nuk dua të merrem më të , kam punë shumë më të rëndësishme për t’u marrë”, tha Meta.