Kryeministri Edi Rama, gjatë një takimi të zhvilluar në Fier në kuadër të turit që ka ndërmarrë në bazë në takim me qytetarë, tha se për PD-në do të dalin të tjera fakte që e lidhin me fonde të paligjshme ruse. Duke iu referuar akuzave për fondet ruse të vitit 2017, Rama tha se në PD janë të zhytur të gjithë duke lënë të kuptohet si Bashën ashtu edhe Berishën.
“Hienat tona janë në shërbim të anës së keqe të këtij basti. Kur kemi dalë e kemi thënë që PD financohet nga para ruse, u hodhën të gjithë përpjetë janë sajesa të Soros, sajesa të regjimit, klithma të Ramës që është në ikje e sipër, unë u bëra kaq vjet në ikje e sipër.
E kur sot ajo që ne thamë na del në raportin e CIA e këta fillojnë jo unë nuk dija gjë. Si ajo historia e atij me qershitë që hëngri e hëngri e pastaj kur u zgjua rrinte shihte është lagur kjo apo ajo.
Njësoj i hëngrën bashkë të tërë e tani rrinë ia shohin njëri tjetrit kush e kishte të lagur e kush e kishte të palagur. Ata janë të tërë të zhytur, komplet e ajo nuk është e gjitha, e sot historia e gjithë lidhet.
Pse na dolën partë e rusëve me PD për cfarë mund ti japin rusët para PD? Vetëm për një gjë, për të bërë gjullurdi prapë.
Do dëgjojmë të tjera se s’ka se si të jetë ndryshe e kështu do ndodhë e vërteta vonon por nuk harron. Por është e dhimbshme që dhe në një kohë si kjo ne nuk jemi bashkë për të mos u ndarë tek faktet, si një popull dinjitoz”, tha Rama.