Aktualitet Beteja për tregjet e kanabisit në Britani: Luftë, dhunë dhe pengmarrje mes...

Beteja për tregjet e kanabisit në Britani: Luftë, dhunë dhe pengmarrje mes shqiptarëve

Grupet kriminale shqiptare po përdorin video të dhunshme të mediave sociale për të treguar një ‘luftë të fshehtë periferike’ për kontrollin e bizneseve fitimprurëse të kanabisit në Mbretërinë e Bashkuar.

Pamjet e tmerrshme të TikTok të zbuluara nga gazeta “Daily Mail”, tregojnë bosët e bandave duke përdorur rrëmbime, pengmarrje dhe rrahje brutale për të vulosur autoritetin e tyre në rrjetin e fabrikave të drogës të fshehura në shtëpi banimi në të gjithë vendin.

Pamjet në Tik Tok të bandave shqiptare për të vendosur autoritetin e tyre në kontrollin e shtëpive të barit në Angli

Prestigjiozja britanike sjell rastin e dy shqiptarëve të marrë peng e të goditur në mënyrë barbare, për të treguar se si grabitën shtëpinë e barit të disa shqiptarëve të tjerë.

Pasi janë gjetur dhe torturuar, dy shqiptarët njëri nga veriu e tjetri nga Elbasani, janë marrë në pyetje nga “bosi” i shtëpisë së barit me origjinë nga Elbasani.

Njëri prej dy shqiptarëve të marrë peng, e ka buzën të çarë dhe dhëmbët e thyer, pasi është rrahur nga ata që e morën peng.

E gjitha kjo dhunë është filmuar e hedhur në Tik Tok si një mesazh për të tjerët që do të tentojnë të grabisin shtëpitë ku kultivohet kanabis.

Në një tjetër video siguruar nga “Daily Mail”, shihen pesë djem të ri shqiptarë që mbajnë në duar thika, hanxharë dhe sëpata duke thënë se po bëhen gati për grabitje.

Shkrimi sjell edhe rastin e një shqiptari të vrarë brenda një shtëpie bari ndërsa i vëllai mbeti i plagosur.

Videot, disa me mbi 10,000 shikime, paraqesin viktima të mavijosura keq që rënkojnë nga dhimbja ose kërkojnë ndihmë për të vepruar si një paralajmërim i ashpër për atë që ndodh me ata që përpiqen t’i sfidojnë.

“Mail” citon edhe profesorin e kriminologjisë në Shqipëri, Ervin karamuço, që thotë se bandat po drejtonin fushatën e përgjakshme të mediave sociale të orkestruar me kujdes për të reklamuar forcën e tyre mbi rrjetet kriminale rivale dhe për të provuar të joshin rekrutë të rinj.

Gjashtë shqiptarë u burgosën këtë javë për drejtimin e një ferme të ‘sofistikuar’ kanabisi që kultivonte drogë me vlerë mbi 300,000 £ në një dyqan të lirë në Market Street në Rhyl, Uellsi i Veriut.

Një hetim i fshehtë nga “Mail” zbuloi gjithashtu se si trafikantët e njerëzve u ofronin migrantëve të paligjshëm mundësinë për të punuar në shtëpitë e kanabisit në MB për të shlyer borxhin e tyre pas mbërritjes.

Shqiptarët përbënin rreth 60 për qind të emigrantëve që kalojnë kanalin e La Manshit gjatë verës, me deri në 7,000 që mendohet se kanë arritur në Britani deri më tani këtë vit, shumë prej të cilëve dyshohet se janë zhytur në botën e krimit.

Shqipëria kishte numrin më të lartë të shtetasve të huaj në burgjet angleze dhe të Uellsit vitin e kaluar, me 1,528 të burgosur.