“Nuk do të lejoj që gënjeshtra të triumfojë. Do të vazhdoj të drejtoj vendin siç e kërkon ligji”. Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanjahu ishte i qartë në qëndrimin e tij. Nuk ka ndërmend dorëhiqet, pasi Prokurori i Përgjithshëm e akuzoi për mitmarrje, mashtrim dhe shkelje të besimit, lidhur më 3 raste të ndryshme.
Gjatë një fjalimi 15 minutësh me tone të ashpra, ai akuzoi drejtësinë, policinë dhe të tjerët, se po orkestronin një grusht shteti kundër tij.
Më herët, Prokurori i Përgjithshëm, Avichai Mandelblit tha se ngritja e akuzave kundër kryeministrit në detyrë kishte qenë një vendim i vështirë, por që tregonte se askush nuk qëndronte mbi ligjin.
“Sundimi i ligjit nuk është një zgjedhje. Nuk është çështje e së majtës apo të djathtës. Nuk është çështje politike“, tha prokurori Mandelblit.
Netanjahu akuzohet se ka pranuar dhurata nga biznesmenë të pasur dhe ka ofruar favore në këmbim të një mbulimi më të favorshëm mediatik. Njoftimi vjen mes ngërçit politik që ka përfshirë Izraelin pas 2 zgjedhjeve që rezultuan pa fitues të qartë.
As Netanjahu e as rivali i tij Benny Gantz nuk mundën të krijonin dot një qeveri koalicioni. Presidenti Rivlin iu ka kërkuar ligjvënësve të dakordësohen për një kandidat për kryeministër brenda 21 ditëve për të shmangur zgjedhje të treta në një vit.