Kryeministri Edi Rama gjatë seancës së sotme plenare mbajti një fjalim në lidhje me aktakuzën e bërë dje publike ndaj Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit.
Kreu i qeverisë sonë e konsideron aktakuzën baltë që hidhet jo vetëm mbi Kosovën, por mbi tërë shqiptarinë.
“Janë ata që vendosën jetën në pikëpyetje përballë parashikimeve dhe këndvështrimeve të kohës sipas të cilave Kosova e pavarur ishte një herezi ndërkombëtare. Të jemi të qartë, drejtësia është drejtësi dhe nuk është drejtësia në vetvete dhe as kërkimi i saj nga një strukturë e miratuar me vullnetin e vetë Kuvendit të Kosovës që ngre pikëpyetje të mëdha, të rënda, të papranueshme në heshtje, por është lexim i tekstit të shpërndarë në mbarë botën për të lajmëruar një proces ndaj dy udhëheqësve të luftës dhe paqes në Kosovë.
Një tekst i shkruar që edhe sikur të jetë juridik për ne që e kemi jetuar në rininë tonë atë kohë i ngjan një fletë rrufeje të revolucionit kinez, ku prezumon vetë prezumimin e pafajësisë. Kjo e kthen atë tekst në një rrufe që godet shumë më përtej dy emrave të përveçëm duke shpërndarë nëpër krejt botën, sot e zvogëluar, prej shpejtësisë së vrapimit të lajmit, që nuk është thjeshtë një baltë mbi Thaçin apo Veselin, por mbi vetë Kosovën dhe krejt shqiptarinë”, tha Rama.
Kreu i qeverisë shtoi se aktakuza është një prelud mediatik që hedh pikëpyetje të rënda mbi luftën e Kosovës. Rama tha se udhëheqësit e UÇK-së e kanë shkruar vetë historinë dhe janë vendosur në anën e drejtë të saj.
“Në atë tekst duket sikur lexon për atdheun e agresorëve, jo për vendin e viktimave të agresionit. Në fund të ditës ai tekst indinjues që nuk është aktakuza, por një prelud i pakuptueshëm në aspektin juridik, në aspektin e procedurës së një drejtësie të drejtë, një prelud mediatik i një procesi që më pas vijon. Por që si i tillë ngre një valë pikëpyetjesh, pikëpyetje të rënda jo vetëm në lidhje me pastërtinë e liderëve politikë, por për kauzën e luftës së Kosovës. Duke mos qenë as nga Kosova as nga Shqipëria nuk kanë mundur ta ndiejë se sa thellë dhe padrejtësisht ato fjalë të hedhura në eterin e botës dixhitale prek dhe prekin për faktin se tashmë udhëheqësit e UÇK janë thuajse të tërë të akuzuar në 21 vjet si individë me dy koka që nga një anë kanë udhëhequr luftën dhe nga tjetra kanë ngrënë njerëz, kanë ngrënë, fëmijë, kanë ngrënë rom. Përballë historisë asnjë prej Thaçit, Veselit, Haradinajt e të tjerëve në 21 vjet nuk kanë nevojë për asnjë mbrojtje publike sepse përtej kësaj tërkuze gjyqësie eksperimentale ndërkombëtare ata janë vendosur në anën e drejtë të historisë dhe e kanë bërë historinë vetë”, tha Rama.
“Nuk ka luftë pa vendime të gabuara, pa gabime vetjake, pa lëshime të rastit. Por ama asnjë gabim individual asnjë vendim i gabuar nuk mund ta përmbysë peshoren e drejtësisë së historisë duke vendosur. Pas 21 vitesh del një tekst që në mënyrë indinjuese vë një shenjë barazimi përfundimtare në raport me një proces të tërë mes viktimës dhe xhelatit. Madje nëse dikush do të rrudhë buzët kudoqoftë në çdo kryeqytet të botës, fjala shenjë barazimi do t’i duket tepër e butë, sepse në fakt është përmbysur komplet peshorja mes viktimës dhe xhelatit të luftës së Kosovës. Një ndërmarrje barbarie shtetërore e orkestruar nga Millosheviçi dhe rrethi i tij vrau 10 mijë civilë të pafajshëm, dhunoi 20 mijë gra, nxorri me dhunë ushtarake dhe paraushtarake 1 milion shqiptar nga Kosova brenda pak javësh. Tani që flasim dhe lexojmë aty një njoftim që flet për rreth 100 viktima… ça është kjo rreth 100? Si mund të jetë një njoftim rreth 100? Po pse jo rreth 1000 apo rreth 50?
Pra në nëntokën e Serbisë vazhdojnë të kërkojnë drejtësi dhe në këmbim të kërkesës për drejtësi të marrin nga mbitoka vetëm heshtjen e injorimit mijëra trupa pa jetë shqiptarësh. Nuk di të ketë pasur në proces ndonjë njoftim për ndonjë aktakuzë, sepse nuk kanë në fakt. Nuk kalohet kjo me deklarata si ato qëndrime në autobus me dy qëndrime, nuk kalohet. Këtu është fjala për të thënë të vërtetën e thjeshtë kumbuese. Në fund të ditës të gjitha këto foltore prej druri nuk kanë asnjë vlerë. Ka vlerë sa përdoren për të thënë të vërtetën e cila në momente të caktuara mund të mos i vijë përshtat dhe shumë miqve të mirë dhe të mëdhenj. Më vjen keq në këto raste. Është e vërtetë që një numër i madh krimesh të kryera prej disa udhëheqësve serbomëdhenj është dënuar, por ama po të shikosh në pasqyrë gjykatat vendore të Kosovës dhe të Serbisë, çfarë lexon në 21 vjet? Lexon faktin e trishtueshëm se duket sikur në Kosovë është lëshuar ofensiva e agresionit dhe në Serbi janë thjesht viktima të agresionit pasi nëse në Kosovë odiseja e drejtësisë ndërkombëtare vazhdon prej 21 vjetësh, në Serbi dhe veçanërisht për krimet në Kosovë dhe ndaj shqiptarëve të Kosovës, zero. Një zero me xhufkë turpëruese!” tha Rama.