Lionel Messi nuk do të ketë mundësi të luajë me Argjentinën deri në datën 3 nëntor të këtij viti. Komisioni i Disiplinës i konfederatës amerikano-jugore të futbollit Conmebol e ka dënuar me 3 muaj pezullim yllin e kombëtares albiceleste për fjalët e rënda që Messi përdori në drejtim të Conmebol pas eliminimit që Argjentina e tij pësoi nga Brazili në fazën gjysmëfinale të Copa America 2019-të.
Messi foli pa doreza për favorizimin që ju bë Seleçaos nga arbitrat duke akuzuar drejtpërdrejt konfederatën amerikano-jugore të futbollit.
Por sulmuesi i Barcelonës nuk ndal me kaq sepse pas kartonit të kuq që mori pas një zënke me Medel në finalen për vendin e tretë ndaj Kilit, akuzoi sërish me fjalët se ai dhe kombëtarja e Argjentinës nuk duhet të jenë e korrupsionit që po bëhet në Copa America, fraza këto që nuk kanë mbetur pa u ndëshkuar, me 32-vjeçarin që tashmë duhet të vuajë dënimin, ndërkohë që Messi duhet të paguajë edhe një gjobë në shifrën e 50 mijë dollarëve. Në këtë mënyrë Argjentina duhet të bëjë pa shërbimet e Messit në miqësoret ndaj Kilit në 5 shtator, Meksikës në 10 shtator dhe Gjermanisë në 9 tetor.
Ndërkohë Messi do të mungojë edhe në sfidën e parë kualifikuese për Botërorin Katar 2022 që do të zhvillohet në muajin mars të vitit tjetër për shkak të kartonit të kuq që mori në takimin ndaj Kilit në Copa America.