1533 – Henry VIII i Anglisë martohet fshehurazi me gruan e dytë, Anne Boleyn. Por Anne nuk do ishte gruaja e tij e fundit.
Përveç gjashtë martesave, Henry VIII është i njohur për rolin në ndarjen e Kishës së Anglisë nga Kisha Katolike Romake. Sipas dëshmive të kohës, Henry fillimisht ishte mbret i mirë, karizmatik i urtë, por më vonë u dha pas epshit, u bë i ashpër, egoist dhe paranojak.
1906 – Hapet për trafikun tuneli i jashtëzakonshëm hekurudhor midis Italisë dhe Zvicrës. Projekti i Tunelit Simplon, filloi gjatë një konference zvicerane-italiane në korrik 1889, ku u ra dakord, për të ndërtuar një tunel hekurudhor gati 20 kilometra të gjatë përmes Alpeve nëpër territorin e të dy shteteve nga Brig, Zvicër në Domodossola, Itali. Rruga e tunelit u përcaktua nga konsideratat ushtarake në mënyrë që kufiri shtetëror midis dy vendeve të ishte në mes të tunelit, për të lejuar secilin vend ta bllokonte ate në rast lufte.
1919 – Krijohet Lidhja e Kombeve, një prej 14 pikave të propozuara nga presidenti amerikan Woodrow Wilson për të parandaluar përsëritjen e një lufte tjetër botërore. Dy fakte: Jo të gjitha 14 pikat e presidentit Wilson u morën parasysh; dhe Lufta Botërore u përsërit 20 vjet më vonë, thuajse me të njëjtit aktorë kryesorë.
1920 – Vdiq në Paris piktori dhe skulptori italian Amadeo Modigliani, 35 vjeç. Natën tjetër, modelja dhe e dashura e tij, Jeanne Hebuterne, 9-muajshe shtatzëne, vret veten duke u hedhur nga kati i pestë. Modigliani është i njohur për portrete në një stil modern që karakterizohet me zgjatjen e fytyrave. Biografët thonë se nëna e tij ishte, në shumë mënyra, ndikuese e fortë në aftësinë e Modiglianit për të ndjekur artin si profesion. Që kur Modigliani ishte 11 vjeç, nëna e tij shkruante në ditarin e saj: “Karakteri i fëmijës është ende i paformuar, nuk di ç’të them. Ai sillet si fëmijë i llastuar, por inteligjenca nuk i mungon. Do presim të shohim se çfarë fshihet brenda tij. Ndoshta një artist?” Filmi Modigliani (2004) tregon rivalitetin e hidhur midis Modiglianit (Andy Garcia) dhe Pablo Pikasos (Omid Djalili), si dhe dashurinë tragjike me Jeanne Hebuterne (Elsa Zylberstein).
1942 – Lufta e Dytë Botërore: Tajlanda i shpall luftë Shteteve të Bashkuara dhe Britanisë.
1945 – Lufta e Dytë Botërore: Francë – Beteja e Bulges përfundon me humbjen e gjermanëve; fillimisht, britanikët thanë se kjo ishte fitorja e tyre, por amerikanët protestuan, dhe kryeministri Çurçill detyrohet të pranojë se merita e fitores u përket amerikaneve.
1947 – Në Miami, Florida, vdiq Alphonse Gabriel “Al” Capone – gangster amerikan, si në filma, në fakt filmat me gangsterë kopjuan atë, gjatë periudhës së ndalimit të alkoolit në SHBA mes viteve 1920 – 1931. Lindur në Brooklyn, Nju Jork nga prindër emigrantë italianë nga rrethinat e Napolit, Capone u përfshi në veprime kriminale që në moshë të re. Ai u përjashtua nga shkolla kur ishte 14 vjeç; në të njëzetat, shkon në Çikago për të përfituar nga kontrabanda e pijeve alkoolike. Kjo rrugë e shtyu më thellë në krime. Pavarësisht këtij profesioni, Kapone u bë figurë e dashur publike. Dhurata që ai shpërndante për kisha, shkolla, jetimore e organizata bamirëse, duke përdorur paratë e fituara nga veprimtaritë e paligjshme, bënë që Kapone të shihej nga shumë njerëz si Robin Hud i kohëve moderne. Por ky emër u cënua në vitin 1929 me Masakrën e Ditës së Shën Valentinit, kur 7 anëtarët të një bande rivale u ekzekutuan; dyshimet ranë mbi Kaponen, edhe pse ai i dënoi publikisht vrasjet. Megjithatë, nuk ishin vrasjet që e çuan atë në burg, por refuzimi për të paguar taksat. Al Kapone thoshte se meqenëse paratë i kishte fituar në rrugë të paligjshme, atij nuk i takonte të paguante taksa që ishin për të ardhurat e siguruara ligjshëm. Por gjykatësi kishte tjetër mendim, dhe në vitin 1931, Kapone u dënua me burgim. Më 1939, ai u lirua me kusht dhe u vendos në pronën e tij në Palm Island, Florida, me disa miliona dollarë që u kishin shpëtuar sekuestrimit, ku jetoi edhe 8 vjet, në vetmi dhe shëndet të rrënuar.
1955 – Bashkimi Sovjetik i jep fund gjendjes së luftës me Gjermaninë.
1961 – Për herë të parë: Në Uashington, John F. Kennedy mban konferencën e drejtpërdrejtë presidenciale për shtyp në televizion.
1980 – Nënë Tereza nderohet me çmimin më të lartë civil të Indisë, Bharat Ratna. Jetën e saj, kjo humaniste shqiptare ia kishte përkushtuar më të varfërve, dhe çmimi indian ishte mirënjohje për bamirësinë e saj.
1993 – Pesë njerëz qëllohen jashtë selisë së CIA-s në Langley, Virginia. Dy të vrarë, tre të plagosur. Personi që hapi zjarr (Mir Qazi, Kasi apo Kansi) mundi të ikte në Pakistan. Ai u kap nga agjentët e FBI-së, të cilët e sollën në SHBA, ku u gjykua, u gjet fajtor, u dënua dhe u ekzekutua me injeksion më 2002.
1998 – Gjatë një vizite historike në Kubë, Papa Gjon Pali II kërkon reforma politike dhe lirimin e të burgosurve politikë, ndërsa dënon përpjekjet e SHBA-së për ta izoluar këtë ishull.
2003 – Pushtimi i Irakut: Një grup veprimtarësh të paqes nisen nga Londra, Angli, për në Bagdad, Irak, për të shërbyer si mburojë njerëzore, me qëllim për të parandaluar trupat e koalicionit perëndimor nga bombardimet e ndërtesave strategjike në kryeqytetin irakian.
2011 – Vala e parë e revolucionit egjiptian fillon me demonstrata, marshime, tubime, akte të mosbindjes civile, trazira, greva, dhe përleshje të dhunshme në Kajro, Aleksandri, dhe qyteteve të tjera në mbarë Egjiptin.