Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka reaguar pas denoncimeve në rrjetet sociale se produkti “Kek Lupo me arrë kokosi”, kishte prani lëndësh të huaja.
Sipas AKU-së nga kontrollet e kryera në këto subjekte u konstatuan kushte të përshtatshme higjeno-sanitare, produktet ishin të ambalazhuara dhe ruheshin në kushte të përshtatshme.
“Në momentin e kontrollit, subjektet nuk dispononin produktin “Kek Luppo me arrë kokosi”, por u konstatuan produktet “Luppo Cake Bite Choco Sandwich” 8 copësh si dhe “Kek Luppo Choco Cacao”, mbi të cilat u ushtrua kontroll fizik duke e thërrmuar produktin për të parë vizualisht nëse kishin prezencë substancash apo lëndësh të huaja në përbërje.
Gjithashtu u kontrollua plotësimi i kërkesave ligjore si etiketimi i produktit dhe sistemi i gjurmueshmërisë, të cilat rezultuan konform kërkesave ligjore.
Për verifikime të mëtejshme mbi sigurinë për konsum të këtij produkti, nga trupa inspektuese e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit u bë marrja e mostrave zyrtare për kryerjen e analizave laboratorike”, deklaron AKU, ndërsa bën me dije se përsa i përket produktit “Kek Luppo me arrë kokosi” nga verifikimet e bëra për praktikat e importit rezulton se për Vitin 2019 ky produkt nuk është importuar në Republikën e Shqipërisë.