Politika Alastair Campbell nxjerr SMS-të e Edi Ramës për strategjinë e Boris Johnson:...

Alastair Campbell nxjerr SMS-të e Edi Ramës për strategjinë e Boris Johnson: “WTF…”

Alastair Campbell, ish-zëdhënësi dhe këshilltari historik i Tony Blair ka zbuluar një detaj interesant në një intervistë për BBC Radio. Campbell njihet edhe për miqësinë me kryeministrin shqiptar Edi Rama me të cilin shkëmbejnë shpesh telefonata dhe mesazhe.

Një nga këto mesazhe të Ramës ka nxjerrë Campbell në intervistën e tij të fundit kur ishte duke kritikuar kryeministrin Boris Johnson për masat e marra ndaj pandemisë Covid-19. Campbell tha se kishte marrë një SMS nga Kryeministri i Shqipërisë që vinte në dyshim qasjen e qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar për krizën COVID-19.

“Unë kam komunikuar sot me një mikun tim, Kryeministrin e Shqipërisë, që më dërguar mesazhe ku shkruante “Çfarë dreqin po ndodh aty? A e di ai se çfarë po bën?” – tha Campbell.

Rama është i njohur për raportet e tij me Campbell, por edhe me Tony Blair për të cilin tha në nisje të qeverisjes se e kishte këshilltar pa pagesë.

Britania e Madhe është një ndër vendet më të goditura nga virusi. Deri tani ka më shumë se 195 mijë të infektuar me koronavirus, ndërsa kanë ndërruar jetë nga Covid-19 mbi 29 mijë njerëz deri tashmë. Vetëm dje kanë vdekur nga koronavirusi 693 njerëz në Britani.