Ekonomi Guvernatori Sejko: Recesioni i pashmangshëm, shtyhen sërish kreditë

Guvernatori Sejko: Recesioni i pashmangshëm, shtyhen sërish kreditë

Ekonomia shqiptare do të shohë një recesion të thellë për shkak të pandemisë. Alarmin e ka dhënë guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, sipas të cilit parashikimet e Bankës së Shqipërisë janë të zymta dhe të ngjashme me ato të FMN-së dhe Bankës Botërore.

“Efektet në ekonominë tonë do të jenë të forta, ashtu si në të gjithë botën. Të gjitha ekonomitë, ajo e Eurozonës, e rajonit, ekonomia botërore do të kenë një ndikim të fortë dhe rritje ekonomike negative; të gjitha parashikimet janë që do të ketë recesion. Parashikimet tona janë të ngjashme me ato të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botëror për nivelet e recesionit. Shifrat ndryshojnë çdo ditë dhe ka një pasiguri të lartë në parashikim, sepse varet nga ecuria e situatës”, tha ai.

Ndërkaq, Sejko njoftoi se po rishikohet mundësia për një zgjatje të ristrukturimit të kredive edhe përtej 6 muajve. “Ne si Bankë Shqipërie po marrim në konsideratë një reagim të dytë në aspektin e ndryshimeve rregullative për të lehtësuar bankat në raport me ristrukturimin e kredive që janë në vështirësi financiare. Pra ne mund t’i krijojmë mundësi bankave për të bërë një ristrukturim më afatgjatë se një afat 3-mujor ose 6-mujor por gjithmonë kjo do të jetë në funksion të një analize të bilanceve dhe ciklit të biznesit që kanë biznese të caktuara. P.sh. turizmi ose fasoneria mund të jetë një sektor i cili mund të jetë më i goditur dhe mund të ketë nevojë për një ristrukturim më proaktiv, krahasuar me një sektor tjetër”, shtoi Sejko.