Albanian Highway Concession, kompania që menaxhon “Rrugën e Kombit”, vetëm në vitin e parë ka investuar rreth 45 milionë Euro në të gjithë gjatësinë e Rrugës së Kombit. Investimet e kryera deri më tani, përfshijnë një volum të madh punimesh për shtimin e korsive të reja pranë qytetit të Kukësit dhe plotësimin e pjesëve të papërfunduar, përgatitjen e terrenit për ndërtimin urës së re mbi Drin, ndërtimin e skarpatave, ndërtimin e nyjeve hyrëse dhe dalëse përgjatë gjithë gjatësisë prej 114 km, ndriçimin e nyjeve hyrëse dhe dalëse, vendosjen e sinjalistikës rrugore dhe tabelave nga e para, punimet e mirëmbajtjes së tunelit të Thirrës dhe punimet e mirëmbajtjes së lehtë, me ndërrimin e shtresave të asfaltit.
Ndërkohë ka përfunduar tërësisht ndërtimi i nyjës së Kalimashit, e cila bën lidhjen me rrugën nacionale të Pukës. Një tjetër nyje e re hyrëse dhe dalëse po ndërtohet dhe në Mamëz, për të vazhduar me nyje të tjera në gjatësinë drejt doganës së Morinit, të cilat kanë lehtësuar ndjeshëm lidhjet e “Rrugës së Kombit” me fshatrat e zonës.
Pavarësisht se deri më tani janë investuar rreth 45 milionë Euro, xhiroja totale e kompanisë në vitin e parë të operimit nuk i kalon 10 milionë Euro dhe raporti mes xhiros vjetore dhe investimeve, tregon se kompania është me humbje në vitin e parë të operimit. Megjithatë, kompania ka intensifikuar investimet përgjatë gjithë segmentit dhe punimet e rehabilitimit po ecin më ritme të larta. Punimet e deritanishme përfshijnë rehabilitimin e një skarpate me gjatësi 200 metra në kilometrin e 50-të të rrugës, një rrëshqitje e vjetër, e konstatuar që me hapjen e rrugës. Sipas drejtuesve të projektit, deri më tani është kryer më shumë se gjysma e punimeve të parashikuara për rehabilitimin e kësaj skarpate dhe punimet në këtë skarpatë pritet të përfundojnë brenda tetorit të këtij viti.
I gjithë segmenti prej 114 kilometrash, sipas drejtuesve të kompanisë, po patrullohet 24/24 me mjetet dhe teknologjinë me bashkëkohore në 7 ditët e javës. Përgjatë gjithë segmentit janë instaluar sensorë metereologjikë dhe kamera, të cilat mundësojnë një monitorim të plotë të kushteve të motit dhe gjendje së rrugës në kohë reale. “Gjatë vitit të parë kemi realizuar rreth 45 milionë Euro investime. Përveç kantierëve të shpërndarë në të gjithë autostradën, kemi ndërtuar dhe qendrën kryesore nga ku administrojmë të gjithë aktivitetin në të 114 kilometrat. Kemi implementuar teknologjinë më të fundit dhe mbulojmë në kohë reale të 114 kilometrat e autostradës në çdo segment dhe veçanërisht segmentet më kryesorë, ku kemi vendosur kamera inteligjente dhe sensorë që bëjnë matje reale të temperaturës dhe kushteve atmosferike”, shprehet Drejtori i Përgjithshëm i Albanian Highway Concession, Nicola Spadavecchia.
Ndërkaq, në hyrje të qytetit të Kukësit, kompania ka nisur punimet për shtimin e korsive dhe përgatitjen e terrenit për ndërtimin e urës së ri mbi Drin. “Në pjesën e hyrjes në krahun verior së urës së Kukësit, jemi duke kryer punimet për hapjen e korsive dhe po përgatitemi për fillimin e punimeve për ndërtimin e urës së re të Kukësit. Aktualisht jemi duke kryer gërmimet për ndërtimin e dy korsive të reja, të cilat rakordojnë nivelin e urës me rrugën ekzistuese. Investimi i në total, përfshirë dhe urën e re arrin në rreth 27 milionë Euro” shprehen drejtuesit e projektit.
Kompania koncensionare, gjithashtu ka rinovuar tërësisht të gjithë sinalistikën përgjatë gjithë segmentit, si dhe kanë përfunduar punimet për ndriçimin e nyjeve hyrëse dhe dalëse, vendosja e mbrojtëseve anësore dhe trafikndarëse të rrugës dhe rrethimi i plotës i perimetrit të autostradës. Në saje të patrullimit të vazhdueshëm dhe bashkëpunimit me policisë rrugore, duke filluar nga 2018 janë shënuar rënie drastike të aksidenteve rrugore. Sipas drejtuesve të kompanisë, kujdesi i veçantë i është kushtuar patrullimit të segmenteve në të dy hyrjet dhe përgjatë tunelit. Shifrat flasin për një rënie të ndjeshme jo vetëm të numrit të aksidenteve, por dhe pasojave të tyre. Paralelisht me investimet dhe masat e ndërmarra, kompania po kryen dhe një mirëmbajtje të lehtë përgjatë gjithë segmentit, siç është ndërrimi i shtresave të asfaltit në pjesë të caktuara dhe shërbime të tjera mirëmbajtjeje para nisjes së sezonit të shirave dhe ngricave.