Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i cili është edhe kandidati kryesor për të qenë kryeministri i ardhshëm i Kosovës është pyetur në emisionin “Open” në TCH nëse ishin afër me PS-në dhe Ramën ku tha:
“Shpreh pakënaqësinë time lidhur me keqpërdorimin që i bëhet kritikave dhe mospajtimeve mes meje dhe Ramës, dhe këto keqinterpretime bëhen nga ata që nuk duan bashkimin mes Shqipërisë dhe Kosovës.
Kemi afërsi me PS-në, por dega jonë në Shqipëri, nuk është as pozitë dhe as opozitë. Unë nuk jam Bojken Abazi as Enis Sulstarova, ata drejtojnë degën e Shqipërisë dhe mund t’a pyesni atë”.
Albin Kurti deklaroi se ka patur gjithnjë debate të forta me kryeministrin Rama.
“Mospajtimet me Ramën keqpërdoren për fërkime që dikush i do me dy vendeve. Ka njerëz që janë kundër bashkimit të Kosovës me Shqipërinë”, u shpreh Kurti.
Më tej shtoi: “Ta ndihmojmë BE-në duke synuar një federatë tonën.”
Mini Shengeni ballkanik
Një temë mjaft e nxehtë kohët e fundit ka qenë mini Shengeni ballkanik, ku Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Serbia kanë pasur disa takime në lidhje me këtë ide, por Kosova nuk ka qenë deri më tani.
Arsyeja kryesore ka qenë mos njohja e Kosovës si shtet nga ana e Serbisë.
“Nëse mini Shengeni e mban reciprocitetin Kosovë-Serbi atëherë diskutojmë”, tha Albin Kurti.
Marshimi në Tiranë
Eni Vasili e ka pyetur Albin Kurtin se përse Lëvizja Vetëvendosje do të bëjë marshim më 28 nëntor në Tiranë.
Ai u shpreh: “Qendra e Vetëvendosjes në Tiranë nuk është as pozitë as opozitë, ajo është regjistruar si OJF. Ne e kemi frymën e përbashkët, por nuk dirigjojmë dhe drejtojmë njëri-tjetrin.
Ne jemi demokratë, ne e duam bashkimin kombëtar dhe sa më shumë aktivitete më 28 në frymën e bashkimit, aq më mirë është. Të zbatohen marrëveshjet që janë midis Kosovës dhe Shqipërisë”.