“Nuk mund të them që jam i entuziazmuar me emërtimin “Ballkani i Hapur”, pasi duke qenë aty kreu i Serbisë që nuk ballafaqohet me të kaluarën e shtetit të tij dhe të vetes së tij, “Ballkani i Hapur” ngjan më shumë si Ballkan i hapur për ndikimet nga Lindja, sidomos nga Federata Ruse dhe Kina, si dhe Ballkan i Hapur për autokracinë, korrupsionin, kriminelët e luftës, siç e dimë që vazhdojnë të jenë masivisht, jo vetëm të lirë në Serbi, por jo pak prej tyre edhe në pushtet”.
Kështu e ka komentuar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nismën “Ballkani i Hapur”, e cila bëri bashkë më 29 korrik në Shkup, kryeministrin Rama, Vuçiç e Zaev.
Kurti është shprehur se problemi kryesor në Ballkanin Perëndimor është mosballafaqimi i kreut të Serbisë me të kaluarën.
“Ne si Republikë e Kosovës konsiderojmë që problemi kryesor në Ballkanin Perëndimor është mosballafaqimi i kreut të Serbisë me të kaluarën. Përkatësisht me të kaluarën kriminale të Serbisë e cila i shkaktoi katër luftëra në dekadën e fundit të shekullit 20. Tregu i përbashkët duhet patjetër të shoqërohet me ballafaqimin me të kaluarën, me demokratizimin e vendeve tona dhe me sundimin e ligjit. Përndryshe do të kemi më shumë ngjarje që nuk ngelen në kujtesë sesa procese dhe struktura që ndryshojnë për së miri jetën e qytetarëve”, tha ai.
Gjatë takimit të Shkupit, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, u shpreh se të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor janë të mirëseardhura në këtë nismë, por theksoi: “Boll me këtë, na ftuan, s’na ftuan”.