Presidenti Hashim Thaçi ka thirrur sërish sot Albin Kurtin për të marrë mandatin për formimin e qeverisë. Hapi i radhës, i cili vjen pas dy ftesave të refuzuara pritet të shtojë presionin ndaj kreut të Vetëvendosjes. Takimi pritet të mbahet nesër në orën 10:00, në Presidencë,por nuk dihet ende nëse Kurti do t’i përgjigjet pozitivisht kësaj ftese.
“Me qëllim të konsultimit për të propozuar kandidatin për Kryeministër për formimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës, ju ftoj sërish për takim konsulativ, me datën 31 dhjetor 2019, në orën 10:00, në Kabinetin e Presidentit të Republikës së Kosovës”, thuhet në ftesën e Thaçit drejtuar Kurtit.
Kjo ftesë vjen pasi Kurti sfidoi presidentin Thaçi, duke thënë se ai nuk e përcakton datën e konstituimit të Kuvendit dhe jo më atë të formimit të Qeverisë.
“Formimin e Qeverisë e përcakton tjetërkush, e jo presidenti. Mua datën për formimin e Qeverisë ma përcakton Lidhja Demokratike e Kosovës”, ka thënë Kurti. Ai duket se po përpiqet të fitojë kohë, duke shmangur marrjen e mandatit si kandidat për kryeministër, pasi negociatat me LDK-në janë bllokuar prej ditësh. Pas marrjes së mandatit nga presidenti, Kurti ka 15 ditë për formimin e qeverisë, afat që duket i pamjaftueshëm duke parë përplasjet mes LKD-së dhe VV-së.
Sipas Kushtetutës, Kurti duhet të formojë qeverinë 15 ditë pasi Thaçi ti dorëzojë mandatin dhe më pas emri i tij duhet ti propozohet Kuvendit, ku duhet të marrë miratimin e 61 deputetëve.
Në rast se Kurti nuk formon qeverinë, atëherë Thaçi duhet të thërrasë kreun e partisë së dytë më të votuar, kreun e LDK-së, Isa Mustafës për të marra mandatin për formimin e qeverisë. Në rast se edhe ai nuk arrin të formojë qeverinë, atëherë presidenti shpall zgjedhje të parakohshme.
Në këto kushte, Kurti duket se po shmang marrjen e mandatit, për të mos djegur ditët për formimin e qeverisë. Por mediat në Kosovë thonë se ai nuk mund ta shtyjë marrjen e mandatit edhe për shumë kohë. Sipas tyre, ai ka kohë deri më 11 janar për të marrë mandatin, pra 15 ditë pas konstituimit të Kuvendit.