Albin Kurti ka nisur vizitën e tij të parë zyrtare si kryeministër në Tiranë, ku është pritur me anë të një ceremonie zyrtare në Pallatin e Brigadave nga homologu shqiptar Edi Rama.
Ditën që mori mandatin e kreut të qeverisë, Kurti deklaroi se vizitën e tij të parë do ta kryente në Shqipëri.
Vizita e kreut të ri të ekzekutivit të Kosovës në Tiranë do të jetë e shkurtër, por intensive. Përveç, kryeministrit Rama, Albin Kurti do të takohet dhe me presidentin Ilir Meta, kryeparlamentarin Gramoz Ruçi, kryebashkiakun Erion Veliaj dhe kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha.
Me kryeministrin Rama, Albin Kurti do të mbajë dhe një konferencë të përbashkët për shtyp.