Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një intervistë për CNN ka thënë se ai është duke biseduar me partnerët ndërkombëtarë, SHBA-në e BE-në, lidhur me tensionet në pjesën veriore të vendit, Leposaviç, Zveçan dhe Zubin Potok.
Kurti ka thënë se “nuk do ta dorëzojë Republikën demokratike te një milici fashiste”, siç i ka quajtur ai grupet kriminele serbe në veri që sipas tij janë dirigjuar nga Beogradi.
“Të gjithë faktorët ndërkombëtarë i kanë njohur zgjedhjet që janë mbajtur më 23 prill. Kur e njeh procesin dhe rezultatet, atëherë kryetarët duhet të shkojnë në komuna. Kush tjetër duhet të jetë aty, nëse jo kryetarët. Po punojmë ngushtë me faktorët ndërkombëtarë, veçanërisht me SHBA-në e BE-në, që i konsiderojmë aleatë shumë të vlefshëm dhe partnerë. Do të bëjmë më të mirën. Por, nuk do ta dorëzojë Republikën demokratike te milicia fashiste”, tha Kurti.
Kurti ka thënë se ka dëshmi se në mesin e turmës së protestuesve, ka ultranacionalistë të krahut të djathtë, që paguhen e urdhërohen nga Serbia.
“Nuk kemi të bëjmë me protestues paqësor, por me banda kriminele, ekstremistë, ultranacionalistë të krahut të djathtë, që po paguhen e urdhërohen nga Beogradi, e të cilët admirojnë Putinin. Është milici fashiste, që sulmoi policët tanë, KFOR-in, e po ashtu gazetarët në terren. Nuk është e mundur të mos kesh kryetarë në komuna. Pushteti në Kosovë nuk fitohet me shok-bomba, krime, dhunë, por fitohet me zgjedhje”, tha Kurti.
Kurti ka thënë se “ka dhjetëra xhirime e foto, që tregojnë se milicë serbë janë në vijën e parë të frontit të atyre që po protestojnë”.
“Disa vinë nga veriu e disa nga Serbia. Kosova është Republikë demokratike, Serbia është autokraci pro-ruse. Nuk ka shumë demokraci atje. Kanë urdhëruar xhandarmërinë atje të vijë e të bëjë trazira në veri të Kosovës”, tha Kurti.
I pyetur pse e dërgoi Policinë në komunat veriore, Kurti ka thënë se policë ka në secilën komunë. Por, ai ka thënë se do të ketë numër më të madh përderisa “jashtë ndërtesa ka banditë të dhunshëm”.
“Dua të kem policë që mbrojnë sundimin e ligjit, e mbajnë rendin. Komunat duhet të jenë për të gjithë, jo për struktura paralele të Serbisë”, tha Kurti.
Sa i përket Asociacionit, Kurti ka thënë se “nuk i neglizhon dhe nuk i mohon dokumentet e kaluar”. Por, ai thotë se është “arritur një Marrëveshje bazë në shkurt dhe duhet sekuencuar zbatimi i saj”.
Kurti ka thënë se s’mund të ketë privilegj vetëm për një minoritet në Kosovë, vetëm se “Serbia po vajton dhe ankohet për humbjen e Kosovës në vitin 1999 kur ndërhyri NATO”.
“Kosova është histori suksesi e intervenimit të NATO-s, e kjo po e shqetëson Beogradin e Kremlinin”, tha Kurti.