“Serbia bëri spastrim etnik administrativ të heshtur në Luginën e Preshevë që sjell pasoja të mëdha”. Kështu deklaroi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti gjatë takimit me përfaqësuesit politikë të shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc.
Në takim ishin të pranishëm kryetarja e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, kryetari i Komunës së Bujanocit, Nagip Arifi, kryetari i Partisë për Veprim Demokratik, Shaip Kamberi dhe kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Ragmi Mustafi.
“Kjo metodë e Serbisë, që iu mohoi të drejtën elementare e demokratike, atë të votës, solli edhe rezultate jo të kënaqshme. Këto zgjedhja as nuk ishin të lira e as demokratike. Mungesa e unitetit dhe i bashkërendimit të subjekteve politike shqiptare në një front, ishte një faktor tjetër i dëmshëm për rezultatet zgjedhore, veçoi kryeministri”, tha kreu i qeverisë së Kosovës.
Kurti shtoi se gjendja e shqiptarëve në këto komuna, me politika diskriminuese e shtypëse të Serbisë, kërkon angazhim të përbashkët e vigjilencë të shtuar, vendosmëri e ruajtje të unitetit politik të subjekteve shqiptare.
“Pas shtypjes e diskriminimit që po u bëhet shqiptarëve nuk duhen mbështetur tentimet për acarim të shqiptarëve me njëri-tjetrin, pjesë e së cilës është edhe synimi për ta rrëzuar kryetaren e Preshevës, Ardita Sinani. Përçarja e ndarja janë gabim dhe sjellin dëme”, u shpreh kryeministri Kurti.