Bota Albin Kurti tregon në Kuvend arsyet pse e pranoi planin franko-gjerman

Albin Kurti tregon në Kuvend arsyet pse e pranoi planin franko-gjerman

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sqaroi në seancën plenare të kësaj të enjteje arsyet se pse ai e pranoi propozimin franko-gjerman për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

Nga Kuvendi i Kosovës, Kurti deklaroi se një marrëveshje bazë e cila mbështetet mbi vlera evropiane dhe universale është më se e dobishme për Kosovës.

“Duhet ta kuptojmë një gjë, nuk është e mundshme që emisarët evropianë të vijnë nga Brukseli, Parisi e Berlini e të na sjellin marrëveshjen finale. Sepse kjo do shumë proces negociator të thellë e të gjatë. Emisarët evropianë nuk na ka sjell një dokument në stilin merre ose leje, ndaj nuk kanë mundur të na sjellin propozimin për marrëveshje finale. E kanë sjell propozimin për një marrëveshje bazë”, tha Kurti.

Shefi i qeverisë në Prishtinë theksoi gjithashtu se pranimi i një plani të tillë i hap rrugë njohjes reciproke me Serbinë.

“E dyta, ne sot kemi mosnjohje reciproke me Serbinë. Ajo që na duhet është njohja reciproke. Marrëveshje finale pa njohje reciproke s’mund të ketë. Nëse mund të thoshim diçka për atë propozimin që na është ofruar, aty paragrafët që merren janë paragrafë që i referohen njohjes. Nuk janë as vetëm dy faqe tamam, është një tekst shumë i përgjithshëm dhe i shkurtë”, tha Kurti.

Gjithashtu ai shtoi: “Ne në këtë kuptim jemi njëmend në fillim të fillimit. Ajo që kam thënë që nga fillimi është se ky propozim është bazë e mirë për diskutime të mëtutjeshme. Shtrohet pyetja pse unë besoj se është bazë e mirë? Deri sot Kosova nuk ka pasur propozim në të cilën janë konceptet evropiane dhe demokratike me vlerë universale. 10 vjet bisedime në Bruksel kanë qenë përbrenda asaj që mund ta quajmë ideologjia e zgjedhjes së problemeve. Unë konsideroj se një marrëveshje bazë e cila i ka vlerat universale brenda është edhe e drejtë edhe e dobishme për Kosovën”.