Ka marrë një kthesë të tmerrshme lufta në Veri-Lindje të Sirisë. Forcat kurde kanë arritur një marrëveshje me regjimin e Bashar al-Asad, e paimagjinueshëm deri para disa ditësh, për të lejuar trupat nga Damasku “të mbronin” qytetin kryesor të Kobane, i kërcënuar nga ofensiva turke.
Marrëveshja, e ndërmjetësuar nga Rusia e Vladimir Putin dhe e konfirmuar nga palët, gjithashtu ka të bëjë edhe me qytetin tjetër strategjik, Manbij, në perëndim të lumit Eufrat.
Negociatat midis Forcave Demokratike siriane dhe qeverisë siriane u zhvilluan në bazën ajrore ruse të Hmeimim në Latakia. Spiralja e papritur e luftës ndryshoi menjëherë pasi amerikanët njoftuan evakuimin e mijëra ushtarëve të tyre nga e gjithë zona e përfshirë në fushatën ushtarake turke.
Presidenti amerikan Donald Trump urdhëroi tërheqjen e 1000 ushtarëve nga Siria veriore me arsyetimin se është më mirë të mos përfshihen në luftime.
Vendimi i presidentit Donald Trump vjen një javë pas ripozicionimit të dhjetëra ushtarëve amerikanë që punojnë së bashku me milicitë kurde në luftën kundër ISIS.
Sekretari Amerikan i Mbrojtjes i SHBA Mark Esper tha se Turqia ka ndër mend ta shtrijë ofensivën e saj edhe më tej dhe se milicitë kurde po përpiqen të ndërtojnë një marrëveshje me sirianët dhe rusët për një kundërsulm ndaj turqve në veri. Në këto kushte shtoi ai – ne do të mbetemi të bllokuar midis dy forcave sulmuese dhe është më mirë të tërhiqemi.
Bombardimet turke në Siri nuk po kursejnë as median. Sipas agjencisë së lajmeve kurde, një autokolonë me gazetarë të huaj u shënjestrua nga forcat e armatosura të Ankarasë. të cilat vranë një gazetarë kurd dhe katër gazetarë të tjerë të huaj që për momentin nuk dihet asgjë për identitetin e tyre.
Dje, është konfirmuar se mes viktimave të ditës së djeshme në Veri Lindje të Sirisë, është edhe Hevrin Khalaf, sekretare e përgjithshëm e Partisë së Ardhmërisë Siriane dhe një nga aktivistet më të njohura për të drejtat e grave në rajon.
Hevrin luftoi gjithashtu për bashkëjetesën paqësore midis kurdëve, krishterë-sirianëve dhe arabëve dhe u vlerësua nga të gjitha komunitetet.
Toyota me të cilën ajo udhëtonte u gjetë jashtë rrugës bashkë më trupin e Hervin në autostradën M4, në drejtim të Qamishlo, e cila ishte sulmuar nga një grup burrash të armatosur.
Në brendësi të makinës janë gjetur qindra gëzhoja fishekësh. Dëshmitarët thonë se Hevrin u zbrit nga makina dhe u masakruan me armë zjarri. Por nuk është e qartë se kush janë autorët.
Ajo zonë e autostradës, kohën e masakrës ka qënë e kontrolluar nga një grup xhihadist, që në këtë fazë të luftimeve është aleat i Turqisë por edhe përgjegjës për ekzekutime të tjera.