Politika “Aleat dhe model për politikën shqiptare”, Basha uron Kurz për fitoren

“Aleat dhe model për politikën shqiptare”, Basha uron Kurz për fitoren

Mbi triumfin e kancelarit Sebastian Kurz në Austri, ku partia e tij konservatore fitoi shumicën e votave në zgjedhjet parlamentare të së dielës ka reaguar kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha.

Përmes një postimi në Facebook, Basha shkruan:

“Mbrëmë i përcolla urimet më të përzemërta mikut tim Kancelarit Sebastian Kurz dhe simotrës tonë Partisë Popullore të Austrisë për fitoren e thellë të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Austri.

Vendimi i liderit të ÖVP Sebastian Kurz ku ndonëse pa asnjë përgjegjësi personale apo politike, vendosi ti rikthejë mandatin qytetarëve pas akuzave ndaj partnerëve të tij në qeveri për “pazare” për vota, është shembull kurajo dhe moraliteti qytetar dhe politik.

Me votimin e djeshëm qytetarët austriakë dhanë një mbështetje të jashtëzakonshme për këtë vendim të Sebastian Kurz dhe Partisë Popullore Austriake, të cilët janë aleatë të paçmueshëm të Shqipërisë dhe model për politikën shqiptare”.