Aleatët e Partisë Demokratike, në një deklaratë për mediat u kanë bërë thirrje qytetarëve që të mos shkojnë të votojnë, por t’i bojkotojnë zgjedhjet e 30 qershorit. Grupi i krerëve të partive opozitare, me në krye të Fatir Mediun shkruajnë se e vetmja alternativë është qëndresa, duke e cilësuar 30 qershorin, si një farsë.
Ata e kanë vlerësuar urdhër-porosinë e kryedemokratit Lulzim Basha për të ndjekur të njëjtin model si në Shkodër, si një kërkesë të drejtë dhe krejtësisht legjitime, sipas të cilëve, po vendi rrezikohet nga zhdukja e demokracisë.
“Të nderuar qytetarë, si rrallëherë në këto tri dekada, vendi ndodhet në një udhëkryq të rrezikshëm që kërcënon një arritje të shenjtë për çdo popull: Pluralizmin politik. Në kundërshti totale me ligjin dhe me dekretin e Presidentit, tashmë të botuar në fletoren zyrtare të Republikës së Shqipërisë, përfaqësuesit e ‘Rilindjes’ vijojnë moskokëçarës projektin e tyre për zgjedhje monopartiake.
Fasada institucionale me të cilën kanë veshur kapjen e tri pushteteve, legjislativ, ekzekutiv dhe gjyqësor, po përdoret për të simuluar ligjshmërinë në sytë e qytetarëve shqiptarë dhe të huaj. Përballë kësaj organizate, vlerat morale të së cilës u shpalosën qartë në sytë e gjithë botës nga përgjimet e publikuara nga gazeta gjermane Bild, e vetmja alternativë është qëndresa qytetare.
Për këtë arsye, Grupimi i Qendrës së Djathtë, në unison me opozitën e bashkuar, i bën thirrje qytetarëve shqiptarë të mos bëhen pjesë e procesit farsë të 30 Qershorit dhe të refuzojnë me neveri votime antikushtetuese dhe antidemokratike. Ne inkurajojmë Aleancën Qytetare për Mbrojtjen e Demokracisë të vijojë misionin e saj legjitim, për të bërë, as më shumë dhe as më pak sesa atë që bëjnë të gjithë popujt liridashës, nga të cilët ne frymëzohemi kur demokracia është në rrezik”, shkruajnë Aleatët e PD-së.