Për kreun e PBDNJ zgjedhjet e parakohshme janë të paevitueshme, dhe kryeministri Rama thjesht po e shtyn në kohë këtë proces. Në studion e Top Talk, Vangjel Dule theksoi se në përfundim të procesit të zëvendësimit të deputetëve, Parlamenti do të bjerë.
“Në bazë të Kushtetutës së Shqipërisë Kuvendi përbëhet nga 140 parlamentarë. Në momentin që ky proces, i cili është shndërruar në një farsë të zëvendësimit të deputetët mbyllet, atëherë ky Parlament bie. Unë e shikoj si një obligim Kushtetues të Presidentit që të vijojë me shpërndarjen e Parlamentit. Rrjedhimisht nuk ka asnjë arsye racionale që Rama ta tejzgjasë këtë amulli”, tha ai.
Ndërkohë kreu i PBDNJ ka edhe një lexim ndryshe të deklaratës së Presidentit Meta, i cili paralajmëronte edhe dorëheqjen, që sipas Dules do të çojë në shpërndarjen e Parlamentit.
“Kam një lexim ndryshe. Përpara se të shprehej për dorëheqjen e tij, u shpreh se si President i Republikës nuk mund të njohë një Parlament me 82 deputetë siç është sot. Por edhe për procesin e zëvendësimit, duke u mbështetur në vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila është obliguese për Presidentin e Republikës, nuk njeh as procesin e zëvendësimet. Mendoj se po i afrohemi zgjedhjes”, u shpreh kreu i PBDNJ.
I ngacmuar nga gazetari Denis Dyrnjaja për kontaktet me kryeministrin Rama, Dule, mohoi në mënyrë kategorike që të ketë kontaktuar me të prej momentit të prishjes së aleancës.
“Prej shumë e shumë kohësh nuk asnjë kontakt me kryeministrin. Që nga momenti që u shfaq edhe koncepti që ai kishte për qeverisjen e vendit, PBDNJ denoncoi zhgënjimin e madh. Rama i ka hedhur në erë të gjitha urat e komunikimit me të gjithë aleatët. Ajo çfarë është më e rëndësishme është se ai ka hedhur në erë të gjitha urat e komunikimit me qytetarët. Rama i rezervon qytetarit shqiptar fatin e një ushtari në rresht, ato skemat e tubimeve në formë rrethore e me fytyra të zbehte është totalitare”, theksoi Dule.
I pyetur se nëse ka një marrëveshje mes tij dhe kryeopozitarit Basha, për një qeveri të mundshme “hije”, kreu i PBDNJ u shpreh se një gjë e tillë nuk ekziston dhe ajo çfarë i bën bashkë është vetëm qëndrimi opozitar ndaj qeverisë Rama.
“Nuk kemi një marrëveshje të tillë. Ajo që na bashkon është qëndrimi opozitar ndaj kësaj qeverisje. Unë me Ramën u nisa nga posti i nënkryetarit, e aleati i tij. Lashë pushtet që në fillimet e 4-vjeçarit të kaluar, sepse qëndrimet e PBDNJ nuk ishin ato që i referohej zoti Rama”, tha Dule.