Anegret Kramp-Karrenbauer, aleate e ngushtë e kancelares Angela Merkel dhe kryetare e partisë Kristian Demokrate do të pasojë Ursula Von Der Lejen si ministre e mbrojtjes në Gjermani.
Zgjedhja e Kramp-Karrenbauer, ndjekëse e politikave centriste të Merkel, ishte e papritur në Berlin. Ministri konservator i Shëndetësisë Jens Spahn ishte përfolur për të marrë postin.
Por Kramp-Karrenbauer, e konsideruar si kandidatja favorite për të pasuar kancelaren, nuk kishte asnjë post në qeveri. Kjo i jepte arsye kritikëve të kundërshtonin zgjedhjen e saj të mundshme në krye të ekzekutivit gjerman.