Ndërkohë që javët e fundit shtypi dhe mediat kanë vluar nga propaganda e paguara për filmat e Bes Kallakut dhe Ermal Mamaqit, Alfred Trebicka, i ka quajtur autorët e tyre “sharlatanë të kinemasë”.
Trebicka, aktor prej më shumë se 20 vitesh, ishte i ftuar dje në “Vizionin e Pasdites”. Në intervistën 30 minutëshe vlen të veçohet mendimi i Trebickës për sa i përket industrisë së rigjallëruar të filmave në vend. Sipas tij, personat pas këtyre filmave nuk janë artistë të mirëfilltë.
“Unë si profesionist do t’i quaja sharlatanë, këta janë sharlatanë të këtij arti të madh siç është kinemaja. Edhe trumpetojnë, kanë gjetur disa mjete financiare… Ata e dinë, s’më intereson fare kjo punë”, tha ai.
“Këtu po dalin njerëz pa asnjë lloj formimi, thonë ‘unë jam kineast.’ Fjala kineast është fjalë shumë e madhe”, shtoi Trebicka.
“Një njeri që vjen nga asgjëja dhe thotë unë do bëj film. Bëjnë skenarin vetë, bëjnë regjinë vetë, bëjnë dhe rolet vetë. Dhe vetëshpallen pastaj, ‘unë jam regjisor, jam kineast, se unë e njoh tregun.’ Ka kapur tregun ky, ky s’e di ç’do tregu. Cilin treg? Për cilin treg flasin këta?”
Trebicka edhe pse nuk përmendi emra konkretë, e përfundoi deklaratën duke i etiketuar filmat e rinj dhe krijuesit e tyre si “si viruse që gjenden gjithandej.”