Deputeti i Partisë Demokratike Enkelejd Alibeaj nuk e mbështet protestën e thirrur nga Sali Berisha më 7 korrik. Në fjalën e tij, para medieve në hyrje të parlamentit, Alibeaj deklaroi se protesta duhet të nisë duke dalë kundër oligarkëve në Kuvend për çmimet e larta.
Në prononcim për mediet, deputeti tha se ka protestuar në çdo moment dhe do të vazhdojë të protestojë, por sipas tij Sali Berisha nuk mund të jetë përbashkimi i njerëzve që vuajnë.
“Do protestosh për krimin, duhet të flasësh këtu. Do protestosh kundër çmimeve të larta, kundër oligarkëve, unë besoj se mënyra më e mirë për të protestuar është këtu. Unë protestoj sot, protestoj në çdo rast. Detyra e çdo deputeti është kjo. Nuk mund të jetë Sali Berisha përfaqësimi i atyre njerëzve të cilët sot vuajnë gjithmonë e më tepër. Absolutisht jo. Më kuptuat mirë se çfarë thashë. Nuk është ai shpresa e njerëzve. Para se të shkojnë te sheshi dhe t’u thonë njerëzve hajdeni të protestoni të vijnë këtu dhe të thonë një gjë. Kanë guxim ta thonë? Për të protestuar për çmimet e larta duhet të thotë se çfarë qëndrimi ka ndaj oligarkëve”, tha Alibeaj.