Në një komunikatë për mediat, Enkelejd Alibeaj është shprehur se ditën e nesërme do të komunikohet para mediave qëndrimi i opozitës për presidentin e ri. Alibeaj ka thënë se opozita e ka bërë propozimin e vet, rregullat dhe më pas emrat.
Alibeaj ka shtuar se salla ku do të zhvillohen diskutimet me PS-në, është e hapur për këdo.
Enkelejd Alibeaj: Çdo diskutim për qëndrimin tonë, të bëhet me media sepse unë besoj se vetëm transparenca është ilaçi më i mirë kundër çdo lloj pazari dhe besoj se kjo është një gjë që edhe publiku e do. Për këtë arsye, nesër në orën 10 jeni të ftuar për qëndrimin që do të mbajmë. Ajo sallë është e hapur për këdo që të vijë e të diskutojë, edhe Mediu edhe Doda për të diskutuar atë qëndrim. Unë kam durimin që t’i diskutojmë të gjitha gjërat hap pas hapi, por besoj që Kushtetuta thotë vetëm një gjë: Që 3 raundet e para duhet të zhvillohen me pjesëmarrjen e opozitës. Ne kemi bërë propozimin tonë, rregullat dhe më pas emrat. Ne kemi thënë propozimin ta kemi ne, ta ketë opozita. Rendi i emrave pa vendosur rregulla e bën procesin jo serioz. E mira është që nesër të shohim se cili është qëndrimi i palës tjetër. Ta shohim nesër. Kërkon përfshirjen reale të opozitës dhe ne e kemi bërë hapin tonë, me rregulla të arsyetuara. Jemi në pritje për të parë se cili është qëndrimi i palëve të tjera. Unë kam detyrimin të përcjell zërin e kolegëve deputetë të cilët janë dakord me atë dokument ku kemi përcaktuar rregullat për kriteret që duhet të ketë emri i propozuar.